Ju mund të keni dëgjuar se një ose dy gota verë të kuqe me darkë ka benefite për shëndetin e zemrës.
Megjithatë, ekspertët kryesorë tani po e hedhin poshtë atë mit – dhe në vend të kësaj, krijojnë lidhje midis pijeve dhe problemeve të mëdha shëndetësore.
Ideja se vera e kuqe përmirëson shëndetin e zemrës daton në vitet 1980.
Një grup shkencëtarësh vunë në dukje një fenomen që u bë i njohur si paradoksi francez – fakti kurioz që francezët, të cilët hanë ushqime të pasura, të yndyrshme dhe pinë verë të kuqe, kanë shkallë relativisht të ulët të sëmundjeve të zemrës, krahasuar me kombet e tjera.
Por ekspertët tani kanë hedhur poshtë përfitimet e supozuara, duke pretenduar se provat për t’i mbështetur ato janë të dobëta dhe janë dokumentuar vetëm në studime vëzhguese – që do të thotë se faktorë të tjerë mund të jenë në lojë.
Dr Leslie Cho, një kardiologe në Klinikën e Cleveland, tha javën e kaluar siç shkruan Daily Mail, se vera e kuqe në fakt nuk shërben për përfitime për shëndetin e zemrës, duke shtuar: “Është vetëm koha për të hequr dorë nga ky besim”.
Sipas Dr Cho, nuk ka asnjë provë të mirë që vera është më pak e dëmshme se llojet e tjera të alkoolit.
Ajo thotë se studimet më të fundit – të kryera tek njerëzit dhe kafshët – tregojnë se në fakt mund të rrisë rrezikun e sëmundjeve, si kanceri dhe sëmundjet e zemrës.