Ekonomia shqiptare humbi 570 mln euro në gjysmën e parë të vitit nga karantina…

Shpërndaje

Humbjet e ekonomisë në tremujorin e dytë të vitit, kur për gati dy muaj pothuajse gjithçka ishte e mbyllur, llogariten në rreth 59 miliardë lekë, ose gati 500 milionë euro.

Sipas tabelave të publikuara nga INSTAT, në vlerë absolute, Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) në tremujorin e dytë 2020 (me çmime korente, të papërshtatura sezonalisht), ishte rreth 387 miliardë lekë (3.12 miliardë euro), ose 59 miliardë lekë më i ulët se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Në tremujorin e parë, kur kufizimet për të parandaluar përhapjen e Covid-19 nisën nga java e dytë e marsit, humbjet në rënien e PBB-së janë rreth 70 milionë euro në krahasim me tremujorin e parë 2019, duke bërë që në total, ekonomia të gjenerojë 570 milionë euro më pak në gjashtë muajt e parë të vitit, në raport me janar-qershor të 2019-s. Humbja është edhe më e lartë, teksa në kohë normale, nëse nuk do të ishin aplikuar kufizimet e Covid-19, ekonomia vendase pritej të rritej me 3-4%.

Në tremujorin e dytë, Prodhimi i Brendshëm Bruto me çmimet e tregut zbriti në nivelin më të ulët që nga viti 2016 (shiko graf. në fund).

Sektori që është goditur më shumë është “Tregtia; transporti; aktivitetet e akomodimit dhe shërbimit ushqimor”, që ka humbur rreth 150 milionë euro, për shkak të mungesës së udhëtimeve, anulimit të prenotimeve të turistëve, mosfrekuentimeve të bareve e restoranteve dhe përqendrimit të konsumatorëve vetëm te blerja e produkteve të domosdoshme. Një pjesë e madhe e kësaj humbjeje është e parikuperueshme, pasi p.sh., turistët që nuk erdhën në 2020 nuk do të vijnë 2 herë në 2021, apo njësoj dhe ata që nuk frekuentuan baret e restorantet.

Sektori i dytë më i goditur është industria, me humbje gati 100 milionë euro, nga të cilat industria përpunuese rreth 40 milionë euro.

INSTAT publikoi dy ditë më parë shifrën për ecurinë ekonomike të tremujorit të dytë 2020, që përkon me kulmin e pandemisë. Sipas INSTAT, ekonomia ra me 10.2% me bazë vjetore dhe 8.8% në krahasim me tremujorin e mëparshëm. Sektori më i goditur ishte “Tregti, transport, akomodim dhe shërbim ushqimor”, që ra me -28% me bazë vjetore.

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka mbajtur të pandryshuar pritshmërinë për ecurinë ekonomike të vendit në vitin 2019, për një rënie prej -9%, ndërsa ka ulur ndjeshëm parashikimin për rritjen ekonomike vitin e ardhshëm, duke zbehur shpresat për një rikuperim të shpejtë.

Sipas “Perspektivës Ekonomike Globale në rajonet e BERZH”, të sapopublikuar, ekonomia shqiptare, pas rënies me 9% në vitin 2020 pritet që të rritet me vetëm 4.5% në vitin 2021. Në raportin e muajit maj, ekonomia shqiptare parashikohej që do të rimëkëmbej me shpejtësi me 12% në 2021, ndërsa tashmë ky vlerësim është ulur me 7.5 pikë përqindje. Ky është rishikimi më i madh në ulje jo vetëm për vendet e Ballkanit, por për të gjithë rajonin e BERZH.

Më herët, edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar uli pritshmërinë për ecurinë ekonomike të vendit nga -5% në vlerësimin e prillit, në -7.5% në raportin e fundit.

Shpërndaje