Ekipi shqiptar i kërkim-shpëtimit që ndihmoi në operacionet pas tërmeteve të 6 shkurtit në Turqi është nderuar me Urdhrin e Lartë Shtetëror për Sakrificën nga presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan.
“Vlerësim e mirënjohje nga një popull mik që iu gjend Shqipërisë në ditë të vështira! Të bashkuar për të përballuar çdo fatkeqësi”, shkruan ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, në statusin e tij, ku ka bërë të ditur edhe lajmin.
3 skuadrat shqiptare që morën pjesë në operacionet e kërkim-shpëtimit pas dy tërmeteve shkatërrimtare në Turqi, përfunduan punën e tyre dhe u kthyen në 18 shkurt në Atdhe.
Pas 11 ditësh pune intensive, rreth 85 trupa, në përbërje të të cilëve ishin efektivë të Forcave të Armatosura, të Emergjencave Civile, ekipeve shëndetësore u përcollën me duartrokitje nga përfaqësues të autoriteteve turke, por edhe qytetarë të thjeshtë, të cilët u shprehën mirënjohjen për kontributin e tyre.
Shqipëria iu përgjigj menjëherë thirrjes për ndihmë të Turqisë dhe brenda 24 orëve në zonat e tërmetit mbërriti ekipi i parë i parë shqiptar i shpëtimit.
Gjithashtu, në emër të popullit shqiptar, kryeministri i vendit Edi Rama u bë pjesë e fushatës ndërgjegjsuese, duke dhuruar 1 milionë euro në ndihmë të rindërtimit.