Agjencia për Eficiencën e Energjisë ka hapur dy tendera për rinovim me eficiencë të lartë energjie në ndërtesa shumëfamiljare përkatësisht në qytetin e Elbasanit dhe në qytetin e Shkodrës. Objektivi kryesor është përmirësimi i performancës energjetike.
Në Elbasan ndërhyrjet do të fokusohen në godina shumëfamiljare të ndërtuara para viteve ’90.
Referuar dokumentit, në këto ndërtesa me lartësi deri në 5 kate evidentohen ndërhyrje të shumta në fasadë dhe shtesa të ndryshme bërë gjatë viteve të fundit nga banorët. Gjithashu, në fasada vërehen dëmtime, kryesisht si rrjedhojë e lagështisë dhe e agjentëve atmosferikë. Projekti përfshin auditimin, certifikimin dhe zbatimin e masave për rritjen e performancës energjetike.
Në qytetin e Shkodrës, projekti përqendrohet në një pallat 6-katësh i pozicionuar krahas “Bulevardit Zogu I”. Në dokument thuhet, se rinovimi do të përfshijë rritjen e izolimit termik dhe përmirësimin e sistemeve të ngrohjes e të ndriçimit. Ky projekt do të përfshijë gjithashtu përdorimin e sistemeve alternative, duke përfituar nga burimet e rinovueshme të energjisë, për të rritur efiçencën.
Të dy projektet pilot përfshijnë certifikimin energjetik të godinave, në përputhje me rregulloret për auditimin dhe performancën e ndërtesave, dhe pritet të kontribuojnë ndjeshëm në rritjen e qëndrueshmërisë energjetike të qyteteve.
Ndërkohë, fondi limit i projektit në Elbasan është 48 milionë e 512 mijë lekë, ndërsa vlera e përllogaritur projektit në në Shkodër është 42 milionë e 799 mijë lekë./scan/