“Edi Rama jep dorëheqjen nëse nuk del forcë e parë në zgjedhje”/ Ja ndryshimet që pritet të miratohen në statutin e ri të PS-së

Shpërndaje

Partia Socialiste pritet të mbajë mbledhjen e Kongresit më 9 prill, duke bërë dhe ndryshime në statut, si dhe do të riorganizohen nga baza në qendrën e partisë.

Një nga ndryshimet që pritet të miratohet pas 3 ditësh ka të bëjë dhe me mandatin e kreut të PS. Siç thuhet në propozimin e socialistëve, mandati i kreut do ndërpritet në 3 raste: Kur ai jep dorëheqjen vetë, në rast të një mocioni mosbesimi e po ashtu në rast se humb zgjedhjet.

Kjo do të thotë se, nëse PS nuk renditet e para në zgjedhje, kryetari është i detyruar të japë dorëheqjen. Në rast se kjo nuk ndodh, ndërprerja e mandatit ndodh automatikisht dhe Asambleja Kombëtare fillon procedurat e zgjedhjes së kryetarit të ri të partisë jo më vonë se një muaj nga ndërprerja e mandatit të Kryetarit.

Neni 36 i Statutit të Partisë Socialiste:

Zgjedhja e kryetarit të Partisë Socialiste

Mandati i kryetarit të Partisë është katër vjet. Mandati i tij ndërpritet para kohe kur:

a. Jep dorëheqjen;

b. Partia humbet vendin e parë në zgjedhjet e përgjithshme;

c. Humbet në mocionin e mosbesimit të zhvilluar për të me kërkesën e një të tretës së anëtarëve të partisë;

d. Në rastet e germës “b”, Kryetari i Partisë është i detyruar të japë dorëheqjen. Në rast se kjo nuk ndodh, ndërprerja e mandatit ndodh automatikisht dhe Asambleja Kombëtare fillon procedurat e zgjedhjes së kryetarit të ri të partisë jo më vonë se një muaj nga ndërprerja e mandatit të Kryetarit.

e. Në rastet e pikave “b”, “c”, ish-kryetari i partisë nuk ka të drejtë të rikandidojë për një mandat të ri.

f. Kur vendi i kryetarit të partisë mbetet vakant, thirret Kongresi i Jashtëzakonshëm i Partisë brenda 30 ditëve.

Shpërndaje