Edhe AKEP ngre shqetësim për çmimet grabitqare në tregun celular…

Shpërndaje

Pas Autoritetit të Konkurrencës, edhe Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ngre shqetësim për përdorimin e çmimeve grabitqare në tregun e telefonisë celulare.

Nga monitorimet e bëra nga AKEP është konstatuar se gjatë pjesës së dytë të vitit 2020 ka pasur shtim të fushatave promocionale agresive të operatorëve celularë për të tërhequr konsumatorët, duke ofruar paketa me çmime të ulëta, deri në 50% më pak, sidomos për pajtimtarët që mbartin numrin nga një operator tjetër. Si rezultat, ka pasur një numër mjaft të lartë portimesh, ku pajtimtarët kanë përfituar nga ofertat me zbritje, gjë që ka ndikuar edhe të ardhurat e operatorëve nga ky treg.

Sipas AKEP, aplikimi i fushatave promocionale agresive, kryesisht për portimin e numrit nga njëri operator tek tjetri, duke ofruar paketa me përmbajtje dhe çmim preferencial, në një periudhë afatshkurtër prodhon efekte pozitive për konsumatorët, por mund të sjellë pasoja të rënda për konkurrencën në afatin e gjatë. Kjo praktikë vë në vështirësi sipërmarrësit që konkurrojnë në këtë treg, kryesisht sipërmarrësit me pjesën më të vogël duke ulur kapacitet financiare për rritjen e investimeve në rrjet.

AKEP nënkupton se çmimet grabitqare mund të jenë një mekanizëm i abuzimit me fuqinë e tregut nga operatorët më të mëdhenj, me qëllim nxjerrjen jashtë tregut të operatorëve më të vegjël.

Në muajin prill, edhe Autoriteti i Konkurrencës ngriti dyshime se në tregun e telefonisë celulare po përdoren praktika të konkurrencës së pandershme, në formën e çmimeve grabitqare. Vendimi mori shkas nga një ankesë e ONE Telecommunications mbi ofertën e shoqërisë Vodafone Albania për klientët e saj. ONE shprehej se elementet e ofertave promocionale dhe çmimi i shërbimit janë nën kosto. Autoriteti i Konkurrencës vlerësoi se ofertat e shoqërisë Vodafone Albania, me një çmim më të ulët krahasuar me ato të dy shoqërive të tjera që operojnë në tregun e telefonisë celulare, ngrenë dyshim të arsyeshëm se ndodhemi përpara një sjellje me orientim drejt “çmime grabitqare”.

Mbështetur në të dhënat e publikuara nga AKEP rezulton se shoqëria Vodafone Albania zotëron rreth 47% të pjesëve të tregut për përdoruesit aktivë, rreth 53% të tregut për thirrjet dalëse, rreth 64% të tregut për volumin e të dhënave, 49% të tregut për përdoruesit aktivë të internetit, 53% të të ardhurave totale të tregut dhe 54 të të ardhurave nga shërbimet me pakicë.

Duke konstatuar ekzistencën e fuqisë dominuese të këtij operatori, Autoriteti i Konkurrencës i ka vendosur detyrimin të mos hedhë në treg oferta promocionale, të cilat sjellin vendosjen në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë të çmimeve të padrejta të tregtimit.

Vitin e kaluar, tregu i shërbimeve celulare pësoi rënie për të katërtin vit radhazi. Të ardhurat totale të operatorëve kishin vlerën e 23.9 miliardë lekëve, në rënie me 9% krahasuar me një vit më parë. Të tre operatorët celularë pësuan rënie të të ardhurave vjetore, por kjo rënie ishte më e theksuar për Albtelecom Mobile, me 16% më pak krahasuar me vitin 2019. Tashmë, Albtelecom ka vetëm 13% të tregut celular, të matur sipas xhiros./ E.Shehu/ Monitor/

Shpërndaje