“E thyejmë Partizanin”, Demir Imeri s’e diskuton mbajtjen e ritmit: Kemi dominuar çdo kundërshtar deri më tani

Shpërndaje

Vllaznia nuk mori më shumë se një pikë ndaj krutanëve, por ndjekësit dje nuk arritën të përfitonin që të afroheshin, kështu që diferenca mbetet sërish 9 pikë.

Pas barazimit ndaj Kastriotit, te skuadra shkodrane duket se nuk ka vend për panik. Demir Imeri, mesfushori shqiptar nga Maqedonia e Veriut, në një prononcim për “Panorama Sport” u shpreh optimist dhe ka bindje se Vllaznia do të korrigjohet që në takimin e radhës ndaj Partizanit. Sipas Imerit, Vllaznia do të kërkojë tri pikët edhe në transfertë ndaj të kuqve.

Dy pikë të lëna ndaj Kastriotit. Çfarë ndikoi te ky rezultat?

E dinim mirë rëndësinë e këtij takimi dhe jemi të vetëdijshëm se kemi lënë dy pikë me Kastriotin. Megjithatë, nuk është asgjë serioze dhe Vllaznia shikon përpara.

Keni luajtur më nervozë ndaj Kastriotit. Ndikoi kundërshtari apo kërkonit ju ta fitonit me çdo kusht këtë përballje?

Personalisht, por edhe si skuadër kemi luajtur një ndeshje pozitive. Skuadra krutane kishte ardhur me një qëllim të vetëm, të merrte një pikë, sepse e dinte se çfarë kundërshtari kishte përballë. Besoj se në ndeshjet e tjera do të tregojmë më shumë qetësi dhe do të vazhdojmë rrugën që kemi nisur.

Çfarë nuk shkoi te ju në këtë javë që sapo u mbyll?

Ne u munduam të bënim lojën tonë të zakonshme, me shumë pasime, por terreni i vështirë dhe një kundërshtar i tillë, që s’dua të flas më shumë, na e komplikuan punën.

Mund të ketë ndikim për vazhdimësinë?

Nuk kuptoj pse të kemi ndikim, kur ne luajmë futbollin më të mirë në Shqipëri kohët e fundit dhe jemi +9 pikë nga ndjekësit më të afërt. Këtë javë luani me Partizanin.

Ka forcë Vllaznia të marrë më të mirën dhe ta kthejë sërish situatën në favor të saj?

Vllaznia ka treguar se ka dominuar çdo kundërshtar, kështu që ka forcë në çdo aspekt.

Ndaj Partizanit do t’ju kënaqte edhe barazimi apo do të kërkoni pikët maksimale?

Vllaznia e ka në “ADN” trepikëshin, kështu që do të shkojmë të luajmë futboll dhe të marrim më të mirën në këtë takim të radhës.

PANORAMASPORT.AL

Shpërndaje