“E qëllova me plumb pas koke kur u kthye te makina”, Azgan Mërnica: Polici më ofendoi, u fsheha në kanale për 48 orë por më mori uria…

Shpërndaje

Zbardhet dëshmia e plotë e Azgan Mërnicës, 23-vjeçari i akuzuar për vrasjen e efektivit të “Shqiponjave” Novruz Cenalia.

Në dëshminë e siguruar nga gazetari Esido Barkaj, Mërnica ka treguar se si ndodhi ngjarja dhe ku qëndroi i fshehur për 48 orë. Mesnatën e djeshme ai u vetëdorëzua në polici pas negociatave të familjarëve me RENEA-n.

Mërnica: Isha duke ikur nga qyteti në fshat. Kisha marrë makinën e dajës. Do shkoja te daja dhe do lija nënën time aty. Isha me shpejtësi dhe u shkëmbeva me policin, i cili po shkonte nga fshati në qytet. Gati sa nuk u përplasa me të dhe ai më bëri me shenjë që të ndaloja. Zbritëm nga makina dhe bëmë llafe. Ai më tha ku shkon me këtë shpejtësi dhe më ofendoi. Kur ma bëri me dorë mua mu duk sikur më shau. Unë u nxeha. Në momentin që u kthye nga makina unë nxora pistoletën dhe e qëllova me një plumb pas koke. Pastaj ika te daja dhe lashë makinën aty. Më pas u largova në këmbë në kanale. Kam lëvizur në këto kanale për 48 orë duke u fshehur. Po më hahej dhe bukë pasi kisha dy ditë pa ngrënë. Ika te shpija e dajës dhe këta kishin njoftuar policinë sepse kishin frikë se po më vriste RENEA. Pastaj më morën policët dhe më çuan në drejtori.

Arratia e te riut mori fund mbrëmjen e djeshme, kur pas 3 ditësh kërkime në disa zona të Fierit nga policia dhe forcat RENEA, ai u vetdorëzua në polici nga familjarët.

Këto janë momentet e filmuara nga vetë familjarët e të riut, që tregojnë 23-vjeçarin duke hipur në një makinë me disa të afërm dhe me një prej efektivëve që bëri negociatorin./vizionplus/

Shpërndaje