Të dashur nxënës, mësues dhe prindër!
Dua t’ju njoftoj se sot në MAS kemi marrë një vendim të rëndësishëm që lidhet me procesin mësimor të shkollave tona në fillim të javës së ardhshme.
Sipas parashikimeve meteorologjike, në ditët në vijim priten temperatura tepër të ulëta, të cilat janë temperatura të jashtëzakonshme për një vend si i yni. Madje në disa zona do të arrijë deri në – 17 gradë celsius.
Për këtë arsye, duke qenë se prioriteti ynë absolut në çdo kohë është shëndeti dhe mirëqenia e fëmijëve tanë, kemi vendosur që shkollat të mbyllen javën e ardhshme, nga dita e hënë deri të mërkurën, dhe orët e humbura do të zëvendësohen në vijim pas një njoftimi të dytë në bashkëpunim me zyrat vendore arsimore.
Natyrisht nëse parashikimet nuk do të dalin të sakta, dhe temperaturat do të jenë më të pranueshme, ne do ta rishikojmë këtë vendim dhe do të jemi në komunikim të vazhdueshëm me ju, sepse për ne edhe procesi mësimor ka rendësi prioritare.
Të dashur prindër!
Ju lutem merrni masa për ju dhe fëmijët tuaj, në mënyrë që t’i kapërcejmë sa më lehtë këto ditë të vështira të dimrit.
Shumë faleminderit për mirëkuptimin tuaj!