Grupi i deputetëve që mbështesin Enkelejd Alibeaj në PD, do të marrin pjesë në protestën e 11 shkurtit që ka thirrur Sali Berisha. I ftuar mbrëmjen e kësaj të enjte në emisionin “Opinion”, Bardhi ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij.
Ndërkohë, i pyetur nëse ky qëndrim ishte dhe i kolegëve të tjerë, Bardhi tha se ishte konsultuar me të gjithë deputetët dhe ata do të marrin pjesë në tubim, gjithashtu.
“Po do shkoj në protestë. Vendimi është marrë i konsultuar me të gjithë kolegët. Të gjithë koleget e grupit parlamentar do marrin pjesë në protestë. Nuk kemi asnjë arsye për të qenë të ndarë në betejën me kundërshtarin, me të vetmin kundërshtar, Edi Ramën.
Edhe unë edhe kolegët e mi disa herë kemi apeluar që fokusi të jetë i përbashkët, pavarësisht ndarjeve në PD”, tha ndër të tjera Gazment Bardhi.
Gjatë kësaj të enjteje, Partia Demokratike e drejtuar nga Sali Berisha ka njoftuar Policinë e Shtetit, se më datë 11 shkurt pret në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” rreth 80 deri në 100 mijë protestues. Vetë Sali Berisha është shprehur se protesta do jetë ndër më të mëdhatë.