E dhimbshme kur shikon dhe kupton se si është katandisur qenia njerëzore…

Shpërndaje

Nga Desilda Zefi

Ndërsa shoh këto foto dhe jo vetëm, më rrënqethet mishi, e dhimbja me plas zemrën e shkon deri në palcë. Sa e dhimbshme kur sheh e kupton se si është katandisur qenia njerëzore. Sa shpirtra të pashpirt paska pasur kjo botë mizore në të cilën po jetojmë. Ku e gjeni guximin të merrni përsipër të kryeni akte të tilla mbi fëmijë, gra e burra të pafajshëm që nuk kërkojnë asgjë më shumë nga jeta, sesa jetë. Ata nuk duan të kenë pasuri e të bëjnë jetë luksi , por e vetmja gjë që duan është të gjejnë paqen e humbur e rrugën drejt shpresës për një jetë pa luftëra e trajtime çnjerëzore që kanë kaluar në vendin e tyre.
Duhet të kuptojmë një gjë, që askush nuk ka dëshirë të sakrifikojë gjithçka për të marrë rrugët e Europës, por mjerimi të shtyn te bësh çdo gjë pa marrë parasysh pasojat.

Pse harroni o njerëz se para se të jeni persona me poste e grada të ndryshme, dhe të merrni përsipër detyra të caktuara, jeni edhe ju bij e bija nënash, motra, vëllezër, baballarë, nëna apo gjyshër?
Pse nuk e mendoni çdo të keqe që do ti bëni tjetrit, se ajo dhemb tek Ai po aq sa do të të dhembë Ty nëse e provon?
Pse e keni humbur arsyen e logjikën e mendimit dhe të veprimit?
Pse nuk ka më Drejtësi Njerëzore?
Pse jeni kthyer në monstra që vetëm kërkoni më shumë pasuri e pushtet?
E ndërsa harroni që qetësia shpirtërore e zemra e pastër nuk blihet me asnjë lloj pushteti e pasurie.

Duket qartë që Humanizmi, një nga vlerat më të mëdha njerëzore ka humbur me kohë.
Këto pamje janë thjesht portret i pastër e i qartë i fytyrës së Çnjerëzimit.

Fotografia e Desilda Zefi
Shpërndaje