Dyshohet se ndihmuan Nuredin Dumanin për plagën në kurriz, arrestohen dy mjekë dhe një infermier…

Policia ka arrestuar 2 mjekë dhe 1 infermier në Fier të cilët dyshohen se kanë mjekuar Nuredin Dumanin dhe nuk e kanë kallëzuar ngjarjen.

Nuredin Dumani mbeti i plagosur të martën pas një atentati me armë në Papër të Elbasanit. Policia e arrestoi atë disa orë më pas në një apartament në lagjen Apollonia të Fierit, të cilën kishte pak kohë që e kishte marrë me qira.

Nuredin Dumani ishte një nga më të kërkuarit e policisë, pasi konsiderohet si i përfshirë në shumë ngjarje kriminale dhe vrasje të ndodhura vitet e fundit. Ai konsiderohet edhe si rival i Talo Çelës, një tjetër i shumëkërkuar nga policia shqiptare, i cili vijon të jetë ende në arrati.