Një falënderim i përzemërt për Këshillin e Bashkisë Shkodër, që në këto momente miratoi projektvendimin për emërtimin e dy shesheve të Rusit me emrat e të nderuarve: Hafiz Sabri Koçi dhe Dom Simon Jubani!
Nderimi i këtyre dy burrave të shquar të Shkodrës, në këtë atmosferë të 30 vjetorit të rihapjes së kishave dhe xhamive tona, është pa dyshim një mirënjohje e madhe për të gjithë të rinjtë dhe qytetarët shkodranë, që 30 vite më parë, u bënë pishtarë të rizgjimit dhe rimëkëmbjes së madhe të kombit!
Pa dyshim, vendosja e dy emrave të prijësve tanë të nderuar në dy sheshet e Rusit, do të rrezatojnë mirësi e paqe, frymën e harmonisë dhe bashkëjetesës ndërfetare, si dhe do të na frymëzojë përherë e më shumë për të respektuar shenjtëritë tona, për të rrugëtuar me Dritën e Zotit drejt dinjitetit të dëshmisë së qenies tonë si mëkëmbësit e Zotit mbi tokë!
Mirënjohje dhe përulje me lutje e nderime për Hafiz Sabri Koçin dhe Dom Simon Jubanin, të cilët kam pasur fatin t’i njoh nga afër dhe që i konsideroj si dy njerëz të zgjedhur të këtij qyteti të madh të vlerave të besimit dhe harmonisë!
Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
Shkodër, më 30 tetor 2020