Trajneri i njohur Shpëtim Duro ka qenë i ftuari i radhës në studion e “Sport News” në News24”, duke analizuara të gjitha ngjarjet e kësaj jave e jo vetëm në futbollin shqiptar.
Dueli Partizani-Vllaznia – “Unë pashë lojën, barazimi ishte rezultati më i drejtë, edhe pse Vllaznia ishte pranë fitores. Për atë që dhanë skuadrat në fushë, barazimi ishte rezultati më i drejtë.
Nga katër skuadrat që ishin për titull në sezonin e kaluar, Vllaznia me Teutën e kanë filluar kampionatin ku e kanë lënë, kurse Partizani dhe Laçi e tregon edhe kuota e pikëve që nuk e kanë filluar ku e kanë lënë, megjithëse them se është herët. Sipas mendimit tim personal, çdo gjë do të ndryshojë. Por Vllaznia ka pasur ndeshje me Partizanin, Teutën e Laçin. Duke patur parasysh këto përballje, kam mendimin se është një hap para, më serioze si skuadër për titullin. Kanë ruajtur boshtin dhe kanë bërë përforcimet e duhura dhe them se kanë rritur jashtëzakonisht shumë fuqinë sulmuese të skuadrës. Ka një afrim si Latifi, nuk ka akoma nivelin e tij, por sigurisht që do të vijë gradualisht rritja e tij. Ka ardhur Aralica, një sulmues tipik, Gjurgjeviç. Mos harrojmë që i mungon Hoxhaj i cili ka qenë vendimtar në sezonin e kaluar. Por ka keqmenaxhuar ndeshjet, në aspektin e mbrojtjes. Ishte 2-0 në avantazh në Laç, tregon dobësi menaxhimi të situatave, edhe me Teutën e Partizanin. Ka probleme Vllaznia nëse nuk menaxhon avantazhin, por e shoh një hap para të tjerëve. E para është që edhe vjet ishte skuadër shumë solide. E dyta, ndryshimi i administrimit të klubit te një person i vetëm është shumë pozitiv për Vllazninë. Stadiumi patjetër, është impiant modern dhe tifozeria dihet që është përkrahje por edhe presion i madh ndaj kësaj skuadre. I ka elementët ndaj them është hap para, por është herët akoma.
Është fillimi por Partizani është një skuadër shumë e kompletuar. Them përsëri se ka afruar shumë futbollistë të spikatur në sezonin e kaluar, organikën e ka të mbipopulluar. Them që ka dy krahët, për mendimin tim Musta e Marku ndoshta ishin më të mirët në Superiore. Ka marrë emra cilësorë si Markun e Vllaznisë, ka marrë Shehin, ka marrë në fund një superlojtar me investim serioz si Kaçe, apo Filipoviç. Ka organikën e duhur për titullin kampion, por nuk e ka filluar mirë se nuk mjafton vetëm dominimi i lojës, por janë rezultatet ato që vendosin”.