Drejt përfundimit restaurimi i Xhamisë së Plumbit/ DRTK: Prioritet ruajtja e autenticitetit arkitektonik dhe historik…

Shpërndaje

Punimet për restaurimin e Xhamisë së Plumbit, një nga monumentet më të rëndësishme të kulturës dhe historisë në Shkodër, po ecin me ritme të kënaqshme dhe pritet të përfundojnë në pranverën e këtij viti, 2025.

Pas përfundimit të rindërtimit të minares dhe disa ndërhyrjeve të brendshme në këtë objekt, puna është përqendruar në ndërtimin e digës mbrojtëse, që synon të zgjidhë problemin e përmbytjeve të shpeshta që kanë prekur xhaminë ndër vite.

Sipas specialistëve të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Shkodër, procesi i restaurimit po zhvillohet me kujdes maksimal dhe teknika të avancuara, pa cenuar autenticitetin arkitektonik dhe historik që mbart.

Xhamia e Plumbit, e ndërtuar në periudhën 1773-1774,  cilësohet si një ndër 50 monumentet më të bukura të botës.

Përmbytjet e shpeshta që kanë perfshirë zonën e kanë dëmtuan këtë objekt kulti, duke e bërë të domosdoshme ndërhyrjen për rikonstruksion.

Projekti ka nisur të zbatohet dy vite më parë dhe po realizohet me fondin prej 6 milion euro, akorduar nga qeveria turke.

Shpërndaje