Eksperti i arsimit, Ardian Muhaj u shpreh se gjendja e vështirë në të cilën ndodhet kërkimi shkencor është pasojë e keqqeverisjes shumëvjeçare, duke filluar që nga financimi i dobët, mungesa e infrastrukturës së përshtatshme, mungesa e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërkombëtar, etj. Gjithashtu Muhaj u shpreh se Shqipëria ka një buxhet të kufizuar për kërkimin shkencor.
Fjala e Muhaj:
Gjendja e vështirë në të cilën ndodhet kërkimi shkencor është pasojë e keqqeverisjes shumëvjeçare, duke filluar që nga financimi i dobët, mungesa e infrastrukturës së përshtatshme, mungesa e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërkombëtar, etj.
Shqipëria ka një buxhet të kufizuar për kërkimin shkencor, që bën të vështirë për institucionet dhe kërkuesit të kryejnë kërkime cilësore.
Shumica e financimit për kërkimin shkencor në Shqipëri vjen nga buxheti i shtetit dhe ky financim është shumë i ulët në krahasim me vendet e tjera europiane, ballkanike dhe mesdhetare.
Pa kërkim, universitetet tona po përballojnë vështirësi, pasi pa kërkimin shkencor nuk mund të rritet cilësia e përgatitjes së studentëve.
Mungesa e infrastrukturës së përshtatshme për kërkim shkencor. Institucionet shkencore në Shqipëri kanë një nevojë urgjente për investime serioze në infrastrukturë dhe teknologji, duke përfshirë laboratorët, mjediset e punës dhe pajisjet.
Pa financimin dhe infrastrukturën e duhur, kërkimi shkencor sot përballet me mangësi të theksuara sa i përket bashkëpunimit midis institucioneve shkencore, si dhe midis tyre dhe sektorit privat.
Gjithashtu, bashkëpunimi me institucione dhe kërkues nga vende të tjera është shumë i ulët.
Mungesa e këtyre kontakteve është një pengesë serioze për kërkuesit shqiptarë për pasur qasje në njohuri dhe burime të reja.
Të gjitha mangësitë natyrshëm pasqyrohen në standardet e ulëta të cilësisë.
Për fat të keq, universitetet shqiptare jo vetëm që renditen në fund të tabelës së cilësisë nga entet e vlerësimit ndërkombëtar, por ndonjëherë cilësia është aq e ulët saqë nuk konsiderohen të denjë për të qenë pjesë e listimeve të tilla si Times Higher Education Ranking, ku Shqipëria është i vetmi vend në Europë dhe Ballkan që nuk figuron fare.
Prandaj, është e nevojshme përmirësimi i standardit të cilësisë së kërkimit shkencor, sepse pa kërkim shkencor, universitetet shqiptare nuk mund të përmbushin misionin dhe detyrimin ndaj vendit.
Pa kërkim, ato nuk janë pararojë e zhvillimit të vendit, por mbeten në fund të tij, siç janë sot.
Pa kërkim, universitetet tona rrezikojnë të braktisen edhe më shumë nga studentët më të mirë dhe nga kërkuesit e rinj, të cilët kanë aspirata për të marrë një formim solid në nivele ndërkombëtare që nuk e gjejnë në universitetet tona pa kërkim shkencor.
Ata do të synojnë universitete prestigjioze jashtë vendit dhe nuk do të kthehen më.
Prandaj, kemi kaluar nga situata e fitimit të trurit në humbjen e trurit, ose nga rikthimi i trurit tek largimi i tij.