Nga Ramazan Çeka
Dr. Ardian Dajti, kirurgu me “Zemër të bardhë dhe duar të arta”.
Nga qytetarët shkodranë, Dr. Ardian Dajti vlerësohet si një nga kirurgët më të shquar dhe duarartë në repartin e kirurgjisë në Spitalit Rajonal të Shkodrës.
Doktori i mirënjohr Ardian Dajti është pjesë e një brezi të mrekullueshëm mjekësh, që kanë trashëguar dhe si të thuash kanë çuar përpara reputacionin e mjekëve më të vjetër, të këtij qyteti, sidomos në repartin e kirurgjisë.
Puna e tyre me përkushtim ka bërë që edhe ky brez e ata pak më të ri, të gëzojnë një respekt të jashtëzakonshëm, jo vetëm në qytetin e Shkodrës, jo vetëm në zonën e Veriut, por edhe më gjërë.
Ky është një vlerësim që ta bën populli dhe kur të vlerëson ai, duhet të ndjehesh krenar.
Në këtë shkrim dua të ndalem pak më gjërë me njërin prej këtyre mjekëve, pra siç e thashë më lart, me kirurgun e nderuar Dr. Ardian Dajti.
Në përgjithësi në shkrimet e mia dua të jem sa më konkret dhe për ta ilustruar idenë, kërkoj edhe shembuj. Këtë shembull dua ta sjellë nga një rast që kam pasur vetë personalisht, nga një problem shëndetësor
Pak kohë më parë iu nënshtrova një ndërhyrjeje kirurgjikale të pashmangshme, në Spitalin Rajonal të Shkodrës dhe sigurisht nuk ishte një përvojë e lehtë për mua, sado që nuk kishte të bënte me organet jetike.
Në përpjekje për të mbajtur shëndetin nën kontroll, për këtë rast isha konsultuar disa herë me Dr. Ardianin, të cilin për hirë të së vërtetës, nisur edhe nga nevoja dhe përvoja me të, prej vitesh e kam vlerësuar jo vetëm si mjek profesionist, por dhe si një mik të mirë, ashtu siç e kanë të gjithë shkodranët.
Mirëpo, unë i dhënë pas punës në angazhimet e mia sa në një takim, në një tjetër, sa në një reportazh apo në një koncert, shpesh lija pas dore problemet e mia shëndetësore dhe për këtë, miku im Ardian Dajti më qortonte dhe më këshillonte që, si i thonë: “të hyja në duart e tia”.
Dhe siç thonë, doktori diçka din, sepse unë disa ditë më parë u detyrova “të hyja në duart e tij”, për të kryer një operacion që natyrisht, gjithmonë si për mjekun, si për pacientin, nuk është i lehtë.
Nuk dua të zgjatem në hollësira profesionale, pasi nuk janë fusha ime, por në urimet dhe falenderimet po, pasi Dr. Dajti me fjalën e ëmbël dhe kurajon, ma bëri çdo gjë më të lehtë.
Këta janë vlerësimet e mia, por po t’i bashkosh me urimet e falenderimet e pacientëve dhe të afërmëve të tyre, të gjitha së bashku do ta zbukuronin biografinë e tij profesionale, por dhe shoqërore.
Një mjek i mirë shkëlqen me punën e tij jo i vetëm, por i rrethuar nga një staf i përkushtuar, me të cilët arrin suksesin, qëllimin human të mjekut, shërimin dhe riaftësimin e pacientit.
Këtë staf të mrekullueshëm e gjen të gatshëm e të devotshëm në sallat e operacionit të Spitalit Rajonal të Shkodrës. Këtë e gjejmë në rastin tim tek anestezisti i mirënjohur Dr. Luan Bajri, tek infermieret Albana, Ardita e Sidorela, që asistojnë në operacion, por dhe tek ata që përkujdesen për pacientin pas operacionit, ku duhet falenderuar infermierja e palodhur, e kudondodhur, e respektuara e gjithë qytetit, Dhurata Bashi, ose Lata siç e thërrasin të gjithë.
Aspak më poshtë dhe pse më i ri, nuk bie vlerësimi im për infermier Benin, Arben Metanin, i cili me një kujdes të jashtëzakonshëm u muar me mjekimin pas operacionit.
Nga të gjitha këto falenderime që adresova për punën e nderuar të stafit në spital, nuk mund të ndaj edhe falenderimin për punën dhe kujdesin e jashtëzakonshëm që tregon infermieri, tashmë veteran në profesion, Jakup Milla, i cili vazhdon t’i shërbejë edhe sot e kësaj dite bashkëqytetarëve të tij, që e respektojnë aq shumë.
E nisa këtë shkrim me qëllimin që të vlerësoj sadopak punën e palodhur, të përkushtuar e humane, të repartit të kirurgjisë “Zamir Shazi” në Shkodër, duke e ilustruar me një shembull që lidhet me marrëdhënien time shëndetësore me Dr. Ardian Dajtin dhe shërbimin që më është bërë në këtë spital.
Atë ditë kur po dilja nga spitali, diku në muret e koridorit të repartit të kirurgjisë, u ndala për një çast para një fotoje të madhe, ku kishin pozuar të gjithë punonjësit e këtij reparti dhe u përula me respekt e mirënjohje para tyre.
Ashtu si të gjithë bashkë janë në këtë foto, ashtu janë gjithmonë në repartet dhe pavionet, sallat dhe dhomat, në shërbim të pacientëve.
Tetor 2023