Dosja ndaj Saimir Tahiri është rikthyer në Gjykatën e Apelit të Posaçëm.
Me anë të shortit ditën e sotme është përcaktuar trupa gjykuese ndaj ish-ministrit të Brendshëm. Në Apel do të gjykohet nga Daniela Shirka që është kryesuese, anëtare Ilirjana Olldashi dhe anëtari i tretë pritet të delegohet nga Këshilli i Lartë Gjyqësor.
Ish ministri u dënua me 5 vite burg nga Shkalla e Parë, vendim i cili u konvertua në 3 vite shërbim prove. Ndërsa kujtojmë se Apeli e ktheu çështjen për rigjykim në shkallën e parë, me argumentin se kjo gjykatë kishte gabuar në rikualifikimin e akuzës nga “trafik i narkotikëve” në “shpërdorim detyre”.
Akuza këto për të cilat SPAK kërkoi dënimin me 12 vite burg. Ishte ish ministri i brendshëm që bëri rekurs në Gjykatën e Lartë, kërkesë e cila u pranua pjesërisht duke e e kthyer për rigjykim në Apel, por me trupë tjetër gjyqësore.
Njoftimi:
Çështja në ngarkim të të pandehurve Saimir Tahirit dhe J.Ç, e regjistruar pranë Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar më date 24.11.2021, me nr. 47 regjistri themeltar, u hodh në short ditën e sotme, më datë 26.11.2021.
Fillimisht nga shorti rezultoi se çështjen do ta kryesonte gjyqtarja Miliana Muça dhe anëtare gjyqtaret Daniela Shirka dhe Ilirjana Olldashi.
Gjyqtarja Miliana Muça paraqiti aktin e heqjes dorë nga çështje (për faktin se është shprehur më parë duke qenë gjyqtare e seancës paraprake), heqje dorë e cila u miratua nga zëvendëskryetari i gjykatës.
Nisur nga kjo, çështja u rishortua, duke përcaktuar trupin gjykues të përbërë nga kryesuese Daniela Shirka, anëtare Ilirjana Olldashi. Anëtari i tretë pritet të delegohet nga Këshilli i Lartë Gjyqësor.