DOKUMENTI/ Ndryshime në Kodin Penal, 3 vjet burg për parakalimet e gabuara! Dënime për avokatë, prokurorë e gjyqtarë! Jo më shtyrje apo mungesa nëpër gjyqe…

Shpërndaje

Ndryshimet në Kodin Penal, i cili prej muajsh është duke u punuar nga një grup i gjerë ekspertësh, duket se do të prekin edhe rregullat e qarkullimit rrugor. Report tv ka siguruar një pjesë të draftit ku vihet re një shtim të numrit të veprave penale si në fushën e qarkullimit rrugor por edhe në fusha të tjera të cilat më parë nuk kanë qenë përfshirë si vepra penale.

Ekspertët kanë propozuar që të bëhen të dënueshme si vepra penale: Parakalim i gabuar, drejtimi i mjeteve duke mos respektuar sinjalistikës, drejtimi i mjeteve në mënyrë të parregullt, mosmarrja e masave për ta bërë të dallueshëm mjetin e ndaluar ose të prishur në një distancë të mjaftueshme, kur kjo kërkohet për të garantuar sigurinë e qarkullimit rrugor, të cilat mund të vënë në rrezik, shëndetin dhe integritetin trupor të një personi ose të një prone me vlere të konsiderueshme. Për këto parashikohet dënimi nga gjobë deri në 3-vjet burg.

Një tjetër ndryshim i propozuar ka të bëje edhe me mungesat e avokatëve në proceset gjyqësore pa një shkak të arsyeshëm apo të ligjshëm, në një çështje që është me të paraburgosur duke sjellë pezullim të gjykimit.

Kjo përbën kundravajtje penale dhe dënohet me gjobë ndërsa nëse kryhet për here të dyte dënohet me qortim gjyqësor. Nga këto ndëshkime nuk përjashtohen as prokurorët dhe gjyqtarët, të cilët nëse mungojnë në seanca mund te ndiqen penalisht dhe te dënohen me gjobë dhe si dënim plotësues është parashikuar edhe heqja e të drejtës për të ushtruar funksione publike.

Prej kohesh një grup pune në Ministrinë e Drejtësisë është duke punuar për Kodin e ri Penal. Pak kohë me parë vete ministri i Drejtësisë ka pohuar se ka përfunduar hartimin e pjesës së përgjithshme, po bëhet edhe pjesë e posaçme dhe me pas do të hidhet per konsultime. Grupi i punës për ndryshimet në Kodin Penal përfshin përveç ministrisë së Drejtësisë edhe përfaqësues të shkollës së magjistraturës dhe ekspertë të fushës.

Shpërndaje