Dobitë e shumta që sjell agjërimi në shëndetin tuaj…

Shpërndaje

Duke filluar nga dita e shtunë (2 prill), të gjithë besimtarët muslimanë presin krahëhapur ardhjen e muajit të bekuar të Ramazanit dhe nisjen e agjërimit.

Më poshtë po sjellim për lexuesit, të koncentruara në 4 aspekte, disa nga shumë dobitë shëndetësore që sjell agjërimi për trupin e mendjen e njeriut.

Agjërimi mundëson pastrimin e trupit           

Shumë prej ushqimeve që hamë sot, përmbajnë aditivë (shtesa) të cilat me të kaluar në sistemin tretës, përkthehen në toksina për trupin. Shumë nga këto toksina depozitohen në formën e yndyrnave.

Agjërimi i jep kohën e duhur trupit të njeriut dhe organeve të tij, që të mund të ‘pastrojnë’ veten. Duke agjëruar, organet e njeriut konsumojnë pikërisht këto yndyrna dhe pastrojnë trupin nga toksinat e depozituara. Falë agjërimit, trupi i njeriut futet në procese vetëpastruese (detoksifikimi).

Agjërimi ndihmon trurin tuaj

Pa asnjë diskutim agjërimi ka efekte pozitive edhe në tru, veçanërisht në rritjen e aftësisë për t’u fokusuar. Një studim i kryer nga shkencëtarë në SHBA, zbuloi se aftësia për t’u fokusuar mendërisht shtohet falë agjërimit. Shkëncëtarët panë se gjatë agjërimit trupi shtyhet të prodhojë më shumë qeliza të trurit. Po ashtu, ulja e hormonit të kortizolit, ul nivelet e stresit duke i sjellë njerëzve qetësi mendore.

Agjërimi ju largon nga veset

Mbajtja e agjërimit do t’ju ndihmojë të largoheni nga veset që po iu dëmtojnë trupin, si përshembull pirja e duhanit. Agjërimi në muajin e Ramazanit është një kohë që i bashkon njerëzit për të bërë më mirë, e kësisoj qëndrimi me familjen e miqtë, sjell një mundësi të artë për ata që duan të heqin dorë nga veset.

Agjërimi ‘mëson’ trupin tuaj

Duke agjëruar, do të vini re shumë shpejt një ndryshim në metabolizmin tuaj. Ky i fundit do të bëhet më efiçent. Kjo sepse falë agjërimit, trupi juaj do të ‘mësojë’ të përdorë më mirë ushqimet që merr trupi, duke i përthithur lëndët ushqyese (nutrientët) me efektivitet më të lartë.

Shpërndaje