“Dibranët në Shkodër: Krenaria, Besa dhe Lufta për Dinjitet”…

Shpërndaje

Nga Zenepe Dibra

HISTORI DIBRANE NE SHKODER
Dibranët, burrat e saj te mençur dhe grate teper fisnike, që kanë ardhur në Shkodër janë në një numër më të madh se të gjithë dibranët e shpërndarë në Shqipëri. Ato kanë ndërtuar Shkodren e shek. XIX-XX, kanë luftuar për mbrojtjen e Shkodrës në vitet 1912-1913 kur serbo malazezët tentojnë të pushtojnë Shkodren. Por ato me mjeshtërinë e tyre, ndershmërinë, inteligjencen, patriotizmin, bujarinë, besimin në Zot kanë patur dhe krenarinë për të mbrojtur dinjitetin e tyre, për të mos lejuar askend ti nënshtrojë. Por kanë përdorur me origjinalitet alegorinë, të mrehtë dhe shumë të hollë. Ja disa nga historitë e dibranëve në Shkodër:

  • I shtrënguar nga hallet e jetës, siç bënin zakonisht shumica e burrave nga fshatrat e Gollobordës, një banor i Okshtunit, kishte shkuar për të punuar në Shkodër. E kishte bërë rrugën nga Okshtuni në Shkodër në këmbë dhe kur kishte arritur, i lodhur nga udhëtimi i gjatë, ishte ulur në Kafe të Madhe për të pirë një kafe e për t’u çlodhur pak. Dy të rinj që e kishin vënë re dhe e kishin kuptuar nga qeleshja e bardhë se duhej të qe dibran, i ishin afruar për të ”nxjerr ndonjë kunj” me të, por ai i zgjuar siç ishte e kishte kuptuar menjëherë. Të rinjtë i thanë të pinte kafen dhe pastaj do të shkonte me ta. Ai piu kafen dhe i pyeti: Përse me doni? Ata i qenë përgjigjur se nga veshja duhet të jesh dibran, ju merreni me ndërtime dhe ne kemi nevojë të na ndërtosh një hajat për gomarë. Po- u qe përgjigjur ustai, por si e doni dy hajate veç e veç, apo një për të dy së bashku? Ata e kishin kuptuar ironinë therëse dhe kishin dashur të justifikoheshin. Ai më tej kishte sqaruar: Unë vërtetë jam dibran dhe merrem me ndërtime, por veproj sipas rastit. Kur e do puna ndërtoj shtëpi, po kur ma do puna edhe djeg shtëpi. Bashkëbiseduesit qenë larguar kokë ulur.
    (Marrë nga Gazeta Bulqiza 11gusht 2016 “‘Okshtuni në këngët e trimërisë”, me autor Prof. As. Nazmi Koçi
    *Në një rast tjetër Selman Stafa nga Okshtuni u ndodh në Shkodër së bashku me mikun e tij nga Ternova, Osman Gjokën. Një mbrëmje Selmani befas u ndodh përballë me valiun e Shkodrës, Haxhi Mela, i cili i hipur në kalë dhe i rrethuar nga 20 sejmenë në të dy krahët, po bënte xhiron e mbrëmjes. Kur e vuri re, Selmani ishte mjaft afër tij, sejmenët i bënë shenjë që të hapte rrugën dhe ai atë tentoi të bënte. Sidoqoftë rrugicat e ngushta dhe eskorta e madhe nuk i dhanë hapësirë sa duhet. Ai u mbështet pas murit, por kur kaloi Valiu, shpata e tij preku në rrobat e ustait dhe ai mbajti kalin. “Nga je ti?” – e pyeti. “- Nga Dibra”, ju përgjigj tjetri. “Ore ‘goge’ Dibre, a nuk e sheh se me bgane tagane” (me bëre pis shpatën). Ustai u ndodh i vetëm dhe i paarmatosur. U largua i mërzitur për në banesën e tij. Ai tashmë e kishte marrë një vendim. Nuk kishte armë, por ishte i armatosur me krenarinë e dibranit dhe mjeshtërinë e përgatitjes artizanale të armëve. Kështu ju fut menjëherë punës për përgatitjen e një naganti. Kur erdhi Osmani e gjeti të mërzitur e duke përgatitur armën. Ai e pyeti shumë herë se përse ishte mërzitur, por nuk mori përgjigje. Pasi insistoi shumë herë Selmani i tha se kishte vendosur të vdiste të nesërmen. “Përse?, i tha Osmani- në se është nevoja do të vdesim të dy bashkë”. Ai i tregoi historinë e valiut, por Osmani u përpoq ta qetësonte. Po ne “gogë” jemi vërtetë përderisa nuk na mban vendi jonë dhe detyrohemi të endemi për të mbajtur familjen. Por Selmani ju përgjigj shkurt. Ai nuk më tha “Goge”, por “Goge Dibre”, nuk më shau si person, por më shau Dibrën. Sonte në Shkodër Dibrës vetëm unë i kam qëlluar, nesër do t’i dal zot. Përgatitën të dy nga një nagant, i provuan në një pus aty afër dhe që të ishin të sigurt u lidhën me tela nga dy plumba, në mos i pari i dyti do të ndizte. Të nesërmen Selmani në të njëjtën orë ja zuri me qëllim rrugën e valiut. Pranë kishte dhe Osmanin. Kur kaloi aty valiu ai e preku me qëllim, valiu e njohu, mbajti kalin dhe ju drejtua: Prapë ti,”gogë dibre”, por Selmani ju përgjigj: “E kë shan ti qafir Anadolli, nuk jam goge dibre, por zog dibre” dhe e qëlloi në mes të 20 sejmenëve mu në kraharor. Kur valiu po rrëzohej nga kali, Osmani nga prapa shokut e qëlloi mes këmbëve të tij direkt në kokë dhe ai vdiq në vend. Sejmenët i ndoqën, ata e kapën Osmanin, por Selmani u fsheh, shkodranët e mbrojtën atë duke rrezikuar jetët e tyre. Dhe populli thuri këngë:
    Ç’asht kjo luftë e ky tufan
    Lufte po bajn nja dy dibranë
    Selman Stafa me Osmanë
    ……………
    (Marrë nga Gazeta Bulqiza 11gusht 2016 “‘Okshtuni në këngët e trimërisë”, me autor Prof. As. Nazmi Koçi. Mehmet Pasha (Veziri i Shkodrës) që kishte influencën në Ohër e Dibër mbarë dhe që ja kishin frikën,thërret, Bajraqet e Ohrit,dhe të Lurës që t’i bindë e ti nënshtronte, sidomos Menën e Lurës që asnjëherë nuk i ishte përgjigjur urdhërave të turkut. Mena i Lurës kishte marrë titullin Bajrak nga Sulltani, titull ky që sipas mendjes së Sulltanit Turk, do e bënte Menën të kthehej në shërbim të interesave turke, por që kjo nuk ndodhi kurrë, pasi Mena jo vetëm që nuk ndihmoi turqit, por ishte dhe organizues kryesor në betejat që bëheshin kundra turqve
    Sipas zakonit Bajraku shkonte me tre pjesëtarë, djem të zgjedhur dhe me Flamur. Kur shkonin në Shkodër bajraqet e tjerë, për të hyrë tek Veziri ulnin Flamurin në portën e hyrjes. Me qëllimin e uljes së flamurit, vetë Veziri kishte dhënë urdhër që porta të kishte sipër një tra, që do bënte çdo Bajrak që shkonte të takonte Mehmet Pashën të ulte Flamurin që mbante. Por ndodhi e kundërta me djemtë e Lurës, pra me Menën e Lurës ku, njëri mbajti Flamurin dhe dy djemtë e tjerë hoqën traun e portës dhe hynë tek Veziri. Të pyetur nga Veziri se perse prishën portën, Mena i tha: “Unë kam ardhur të takohem se më keni thirrur, nuk kam ardhur të ul Flamurin, se kurrë këtë nuk do ta bëja, e në don të flasësh me Bajrakun e Lurës dhe të Dibrës mbarë urdhëro se po dëgjoj, në qofte se jo une iki nga kam ardhur. Kështu bëri iku me flamur në dorë e pa e ulur.
    (Marrë nga Dritan Brunga, “Mena, Bajraku i Lurës, krenari për Lurën, Bajrak i vetëm për Dibrën mbi nëntë malet e saj!Vigan!,

*Një histori e kohëve më të reja, gjatë diktaturës, tregojnë shkodranët për një person që kishte nevojë të rregullonte çatinë. I kishin treguar se këtë e rregullon “dibrani”, një person i ardhur nga Dibra por që në atë kohë ai punonte oficer sigurimi në Shkodër. Kur e gjen banesën e tij ai troket në derë. Menjëherë i del personi dhe e pyet se çfarë kërkon. Ky i thot se kam nevojë të rregulloj çatinë e banesës sime dhe kërkoj ndihmen tuaj se më kanë thënë që ju dini ta rregulloni. “Jeni drejtuar gabim” i thotë personi që punonte në sigurim: “Unë di të shkatërroj çati dhe jo të rregulloj!

*Një student dibran që vazhdonte studimet në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës, tregon se njëherë kur ai donte të kthehej në qytetin e tij, së bashku me një shokun e tij dibran, kishte hypur në një automjet. Shoferi, i quajtur Gjon Jaku, që ishte nga fshati i Bërdicës, i pyet studentët se nga janë dhe kur ato i tregojnë se janë dibranë, ndal automjetin, ngrihet në këmbë, përshëndet ushtarakisht dhe thotë: “Populli i jonë nuk duhet të harrojë kurrë sakrificat, trimëritë dhe gjakun e derdhur nga dibranët në masakren që bënë malazezët dhe serbët në rrethimin e Shkodrës në v. 1913, dhe që ka marrë emrin “Kasaphana e Bërdicës. Veçanarisht ne bërdicjanët do të kemi gjithmonë respekt për veprën e tyre martire,”

Skender Drini (1935-2014), shkrimtari i shquar shkodran, më 1980, ka shkruar romanin dokumentar, “Vraje trathtinë” (ku shumë personazhe janë reale), mbi luften mbrojtëse të shkodranëve në v. 1912-1913, kur serbo-malazezët sulmuan Shkodren. Ai përshkruan në këtë luftë të mbrojtjes së Shkodrës edhe heroizmin altruist të dibranëve që erdhen në mbrojtje të këtij qyteti. Midis të tjerave ai e përshkruan kështu sapo ardhjen e tyre (fq.66,botim i ri, Prishtinë 2004), në Shkodër, ku në mes të tjerave tregohet mikpritja shkodrane:
……”-Ej Shkodër! A ke petulla e mjaltë për ne ? Kjo ishte një kerkesë pak fodulle, një kërkesë prej njeriu që të lë të kuptosh se po të bën një shërbim të madh, prandaj kësaj kërkese shkodranët nuk begenisen t’i përgjgjen. Një redif tjetër po nga Dibra , u tregua më tokësor. Ai përsëriti fjalët e një kënge të dëgjuar shkodrane. Dhe po me ato fjalë u përgjigjen shkodranët:
Dibrani: -Ej Shkodër a ke bukë me na dhanë?
Shkodrani:Sa ka deti ujë e ranë
Dibrani: A ke strehë me na vue mbi krye?
Shkodrani: Në mbetë Shkodra në shi, në shi do të rrini edhe ju! Po e përvloi dielli, ju përvlon edhe ju!
Dibrani: Ne u vrafshim, mos na varrosni në fushë të shkretë! Amanet na shtini në varret tueja!
Shkodrani : Si të quajnë or mik?
Dibrani : Jam dibran dhe më quajnë Sulejman Abdiu-tha tjetri me krenari
Shkodrani: Unë jam shkodran dhe Braho Shkreli ma thojnë emrin. Konakun e kam pesë dekika përtej furrës së Bejlikut
Dibrani : Kush të kallëzon shtëpinë, të kallëzon miqësinë themi në Dibër. Do Zoti e shihemi o Braho Shkreli!
Dibrani: Ej Shkodër ..Kësulat tuaja janë bigë me majë dhe ju s’dini pse keni mbetur ashtu .
Shkodrani: Nuk e dimë
-Kush nuk e ka majen e kësulës përpjetë ia ka ulë turku me grusht. Maleve tuaja u fali pare të pafarë për t’ja ulur bigen e kësulës por ato nuk pranuan ! Bëri luftë për t’ua ulur bigen kësulës, por ato mbeten se mbeten bigë

Shpërndaje