Dhúnoi arbitrin, përjashtohet përjetë futbollisti shkodran

Shpërndaje

Komisioni i Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit ka përjashtuar përgjithmonë nga çdo aktivitet futbollistik lojtarin e KF Ada, Valter Perndrecaj, pasi goditi arbitrin e ndeshjes.

Ngjarja ndodhi në ndeshjen e vlefshme për Kategorinë e Dytë mes Gramshit dhe Adës së Velipojës, ku Valter Perndrecaj sulmoi arbitrin e ndeshjes.

Po ashtu, Komisioni i Disiplinës pezulloi me 4 ndeshje edhe futbollistin e Vllaznisë Renato Malota, për sjellje josportive ndaj zyrtarit të ndeshjes.

Vendimet në mbledhjen e Komisionit të Disiplinës

1.KF Luftëtari, në bazë të nenit 12 të KDS, paralajmërohet se në rast të përsëritjes së dështimit në përmbushjen e përgjegjësive, do të jetë subjekt i masave disiplinore që parashikon Kodi i Disiplinës Sportive dhe Rregulloret e FSHF.

2.Lojtari i KF Vllaznia, Renato Malota, për sjellje josportive ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të Nenit 48/1/a të KDS dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga aktiviteti futbollistik.

3.Lojtari i Flamurtari FC, Souza De Oliveira Odaildo, për sjellje josportive ndaj kundërshtarit, në bazë të Nenit 47/1/d të KDS dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga aktiviteti futbollistik.

4.FC Lushnja, në bazë të nenit 12 të KDS, paralajmërohet se në rast të përsëritjes së dështimit në përmbushjen e përgjegjësive, do të jetë subjekt i masave disiplinore që parashikon Kodi i Disiplinës Sportive dhe Rregulloret e FSHF.

5.Lojtari i Vllaznia B, Rigers Sekja, për sjellje josportive ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të Nenit 48/1/a të KDS dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga aktiviteti futbollistik.

6.KF Ada, për shkak të aktivizimit të një lojtari i cili ishte i pezulluar, në bazë të Nenit 53 të KDS i zbriten 3 pikë nga klasifikimi.

7.Lojtari i KF Ada, Valter Perndrecaj, për sulm ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të Neneve 11/1/e, 11/1/f, 38, 39, 48/1/b dhe 55/1 të KDS përjashtohet përgjithmonë nga çdo aktivitet futbollistik.

Shpërndaje