“Dhuna e policisë malazeze fenomen”, kryebashkiaku i Shkodrës nxjerr tjetër video: Asnjë fjalë nga autoritetet shqiptare…

Shpërndaje

Kryebashkiaku i Shkodrës Bardh Spahia ka reaguar pas dhunës së policisë malazeze ndaj shtetasve shqiptarë, mes tyre zyrtari i Partisë së Lirisë, Petraq Milo ndërkohë që një tjetër video është publikuar në rrjetet sociale.

Spahia shkruan se dëshmohet me zë dhe figurë se fenomeni nuk është i izoluar, por një rast i përsëritur.

Ai thekson se në njërin krah kryeministri propagandon nismën e “Ballkanit të Hapur”, e në krahun tjetër ai dhe institucionet e varësisë mbyllin sy e veshë përballë shfaqjeve të tilla që nuk i shërbejnë aspak raporteve të fqinjësisë së mirë.

POSTIMI I PLOTË
Asnjë fjalë nga autoritetet shqiptare për dhunën në kufirin mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, në doganën e Muriqanit ndaj shtetasve shqiptarë.

E ndërsa heshtja mbetet kryefjalë e palës shqiptare dhe asaj malazeze, një tjetër video ka dalë në rrjetet sociale ku dëshmohet me zë dhe figurë se fenomeni nuk është i izoluar, por një rast i përsëritur.

Dhuna mbetet një akt i papranueshëm, prandaj e dënoj me forcë këtë sjellje të individëve që mbajnë uniformën e shtetit dhe sillen në mënyrë brutale me qytetarët, kur do të duhej të dëshmohej krejt e kundërta. Shteti shqiptar nuk ka asnjë arsye të mos reagojë, e aq më pak t’i trajtojë këto incidente me indiferentizëm sikur të mos ketë ndodhur asgjë. Në njërin krah kryeministri propagandon nismën e “Ballkanit të Hapur”, e në krahun tjetër ai dhe institucionet e varësisë mbyllin sy e veshë përballë shfaqjeve të tilla që nuk i shërbejnë aspak raporteve të fqinjësisë së mirë.

Shpërndaje