Agron Puka, 54-vjeçari i qëlluar me armë zjarri mëngjesin e kësaj të mërkure në Lezhë, është jashtë rrezikut për jetën, konfirmuan burime zyrtare nga policia lokale. Rrethanat e atentatit ndaj 54-vjeçarit ashtu si dhe motivi e autori mbeten të paqarta.
Ajo që behet e ditur nga blutë është fakti se Agron Puka po lëvizte me automjet, kur ndaj tij është qëlluar me armë zjarri.
“Rreth orës 08:00, në fshatin Rrilë, shtetasi A.P., 54 vjeç, banues në fshatin Rrilë, duke lëvizur me automjet, është plagosur me armë zjarri nga 1 person ende i paidentifikuar. 54-vjeçari është transportuar në spitalin rajonal të Lezhës, ku është në kujdesin e mjekëve, aktualisht jashtë rrezikut për jetën”, njoftoi policia.
“Shërbimet e Policisë, me marrjen e njoftimin, kanë shkuar menjëherë ne vendngjarje, është rrethuar zona dhe janë ngritur pika kontrolli. Njëkohësisht, në ndihmë të Policisë vendore, janë nisur Forcat Kombëtare të Sigurisë të Njësisë Shkodër. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit”, thuhet më tej në njoftimin e bluve.