Detaje të reja zbardhen për vrasjen e Ramazan Matajt në Postribë të Shkodrës. Grupi hetimor, pas mbledhjes të provave në vendin e ngjarjes, ka arritur në konkluzionin se është qëlluar vetëm nga një autor, nga të dyja anët e makinës. Siç duket, është siguruar për vrasjen e tij, ndërsa hetuesit kanë gjetur 14 gëzhoja në vendngjarje, plumbat e së cilave e kapur thuaje në të gjithe trupin. Pista kryesore ku hetimet janë përqendruar është ajo e konflikteve personale.
Aparati celular i të riut është dërguar në laborator për t’u hapur dhe kjo është shpresa kryesore e hetuesve për të shkuar drejt një identifikimi të autorit apo autorëve të dyshuar.
Të gjithë familjarët janë marrë në pyetje dhe asnjë çështje me interes për hetimin nuk kanë dhënë. 33-vjeçari nuk kishte prcedent, por as lidhje dhe miqësi me anëtarë të grupeve të ndryshme kriminale të Shkodrës. Është bërë kontroll me qen në vendin e ngjarjes, por asgjë nuk ka zbuluar për drejtimin e autorëve, pasi nga aty ka disa drejtime rrugësh për t’u larguat.
Përveç pistës së problemeve personale, hetuesit nuk e përjashtojnë mundësinë e ndonjë konflikti në Belgjikë, por deri tani nuk ka ndonjë provë.