Një intelektual premtues që, megjithë moshën e re, arriti të rrezatonte vlerat e tij në fushën e letrave dhe arsimit shqiptar, por për fare pak kohë sepse diktatura e burgosi, e torturoi dhe më në fund e vrau, padrejtësisht.
Këtë vit, është 100-vjetori i shkrimtarit, studiuesit, publicistit, kritikut dhe mësuesit të talentuar Qemal Draçini (lindur më 6 mars 1922) që diktatura nuk e la të jetonte më shumë se çerekun e këtij shekulli që mbushet këtë vit, pak me jetën e shumë me mungesën e tij.
Ai ndërroi jetë i torturuar në birucat e Degës së Punëve të Brendshme në Shkodër, ku e kishin mbyllur pas Lëvizjes së Postribës, në shtator të 1946-ës, bashkë me dhjetëra e qindra intelektualë dhe banorë të Shkodrës e zonave përreth, gjoja si të përfshirë në organizimin e asaj lëvizjeje.
Kur Qemali, i torturuar, ndërroi jetë u tha se ai kishte prerë damarët pasi kishte lexuar në qeli një dëshmi të Musine Kokalarit të shkruar me gjakun e saj. Madje ky informacion figuron edhe në dosjet e deklasifikuara të operacionit BGFIEND, por është shumë i dyshueshëm, për mos të thënë atë që arsyeja imponon: krejt i pabesueshëm. Familja nuk mundi ta tërheqë trupin, si ndodhte gjithmonë në këto raste. Xhelatët e kishin të lehtë që me fshehjen e kufomës të fshihnin edhe krimin, por gjithsesi ato tortura çnjerëzore që u kryen nëpër qelitë e Punëve të Brendshme, nëpër dhomat që shërbenin si hetuesi dhe vende paraburgimi nuk mbetën pa dëshmitarë.
Dëshmi që pëshpëriteshin në atë kohë vetëm mes njerëzve të besuar dhe që sot, një pjesë, i shohim të botuara.
Nipi i Qemal Draçinit, i ka dërguar kujto.al, një dëshmi të re për fundin e dajës së tij, sipas së cilës, edhe një herë, përgënjeshtrohet varianti i pabesueshëm i vetëvrasjes dhe zbulohet krimi i punonjësve të Degës së Punëve të Brendshme të Shkodrës. Arben Borshi shkruan:
“Dokumentat e DPB të Shkodrës, ashtu si shumica e dokumentave të regjimit terrorist komunist në lidhje me krimet e vazhdueshme të kësaj partie, janë të pavërteta. Kjo sepse këta kriminelë e kishin vijë pune mashtrimin, gënjeshtrën dhe për më tepër, fshehjen e realitetit. Mjeku që u thirr në DPB në Shkodër me dt 6 tetor 1946 për të firmosur verbalin e konstatimit të vdekjes, doktor Teufik Mborja, as që është lejuar të futet në qelinë ku dergjej trupi i pajetë i dajës tim, Qemalit. Vetëm nga dera e hapur ai ka parë një trup të shtrirë mbi atë që quhej krevat, i mbuluar deri në bel nga ku dalloheshin të brendshmet e të ndjerit që kishin dalë përjashta barkut, si dhe mbulesa e gjakosur mbi të. Këtë dëshmi, ia ka dhënë vetë doktori tim eti, Qazim Borshit, në konfidencë dhe duke iu lutur që të mos fliste me asnjëri, sepse terroristët komuniste do hakmerreshin ndaj tij. Prandaj duhet shumë kujdes kur publikohen këto dosje të përpiluara pikërisht nga xhelatët e krimit. Nuk ka pasur asnjë mjet prerës kush ishte në birucat e hetuesisë, sepse do të konsiderohej armë. Për të prerë damarët, duhej një mjet prerës, kur nëpër birucat e DPB nuk lejohej as luga prej alumini!!!! Përveç kësaj, i zë besë doktorit të ndjerë dhe jo poshtërsive që shkruanin këta xhelatë. Kjo është dëshmi me zë, jo më të shkruar. Por i besoj tërësisht kësaj dëshmie”, mbyll mesazhin e tij nipi i Qemal Draçinit.
Sot, emri i Qemal Draçinit, atij intelektuali aq premtues, është mbi një rrugë, mbi ndonjë libër, por jo mbi varr. Trupi i masakruar nuk iu dha familjes. Siç nuk iu dha atij merita e punëve të përvetësuara nga të tjerë./Kujto.al/