Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon dëshminë e rrallë të ish-ushtarakut të lartë, nënkolonelit në pension, Gani Elezi, një nga oficerët e detashmentit të Zbulimit në Zall-Herr të Tiranës, i cili në vitin 1971, për gjashtë muaj stërviti një grup palestinezësh të Al-Fatahut. Cilat ishin stërvitjet prioritare që i’u nënshtruan arabët dhe përse ata kërkonin që përgatija e tyre të përqëndrohej në luftën guerilje në qytete, lëndët plasëse dhe veprimet kundër helikopterëve…?!
Në fillim të viteve ’70-të, në një nga librat e tij, të titulluar “Imperializmi dhe Revolucioni”, të cilin ish-diktatori komunist i Shqipërisë, Enver Hoxha, dhe propaganda e regjimit të asaj kohe e konsideronin si një nga kryeveprat e tij, midis të tjerash, shkruhej: “Revolucioni botëror tashmë nuk është vetëm një aspiratë e popujve të shtypur, por një problem evident i shtruar për zgjidhje”. Në këtë kontekst, nisur dhe nga deliri që kishte përfshirë Enver Hoxhën asokohe, (i cili pas prishjes me Kinën, pretendonte të ishte udhëheqësi i vetëm marksist-leninist i proletariatit botëror) udhëheqja e lartë komuniste e PPSH-së, dha viston dhe nisi të pranonte në Shqipëri shumë delegacione, individë e grupe të ndryshme nga të pesë kontinentet e botës, të cilët i konsideronte miq, marksistë-leninistë dhe revolucionarë që luftonin për triumfin e Revolucionit Botëror. Një pjesë e këtyre grupeve që përfaqësonin krahun politik të partive komuniste me të cilat ishte lidhur PPSH-ja, vinin në Shqipëri në raste kongresesh të PPSH-së, apo dhe për pushime në vilat e udhëheqjes, ndërsa grupe të tjera që përfaqësonin krahun ushtarak të partive të tyre, vinin këtu për t’u stërvitur ushtarakisht. Në këtë kuadër, pak vite më parë, me propozim të Enver Hoxhës dhe vendim të Byrosë Politike, udhëheqja e lartë shqiptare kishte çelur një fond të veçantë në valutë (me miliona dollarë), që quhej “Fondi i Solidaritetit”, i cili ishte destinuar për të ndihmuar e financuar këto parti dhe grupe të ndryshme, shumë prej të cilave ishin fantazma. Një nga ato grupe të krahut ushtarak që erdhën në Shqipëri asokohe, ishte dhe ai i 30 palestinezëve të Al-Fataut, të cilët në janarin e 1971-in, për gjashtë muaj me rradhë u stërvitën pranë detashmentit të Zbulimit në Zall-Herr të Tiranës, që asokohe përbënte një prej reparteve elitë të Ushtrisë Shqiptare. Lidhur me këtë, dëshmon ekskluzivisht për Memorie.al, ish-ushtaraku i lartë dhe nënkoloneli në pension, Gani Elezi, njëri nga oficerët e atij reparti special që u ngarkua me stërvitjen dhe drejtimin e atij grupi palestinezësh.
Zoti Elezi, si e kujton fillimin e punës suaj me palestinezët, dhe kush ua komunikoj atë detyrë?
Aty nga fillimi i vitit 1971, kur unë ishe me detyrën e komandantit të kompanisë pranë detashmentit të Zbulimit në Zall-Herr të Tiranës, (i cili ishte një repart special që varej nga direkt nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë) komandanti i asaj njësie, eprori im, Qani Abazi, më thirri në zyrë dhe më tha: “Do të vij një grup prej 30 luftëtarësh palestinezë, për t’u stërvitur pranë repartit tonë për një periudhë gjashtë mujore, dhe ju ngarkoheni me detyrën e komandantit për drejtimin e këtij grupi. Kjo gjë është sekret shtetëror dhe do zbatohen të gjitha detyrat konform rregulloreve tona ushtarake”. Pas kësaj, ne diskutuam edhe për të gjitha modalitetet e nevojshme që duheshin për përgatijen e atij grupi, duke filluar që nga akomodimi i tyre në repartin tonë, (fjetja, ushqimi, veshmbathja, etj) e deri tek programi stërvitor që duhej të bënim posaçërisht për ta. Ata ishin të gjithë djem të rinj nga mosha 23 deri 30 vjeç, dhe tek ne erdhën me veshjet e tyre karakteristike arabe me shami në kokë. Ata ishin të gjithë palestinezë, por vinin nga vende të ndryshme arabe si: Egjipti, Siria, Jordania, Libani etj. Ndër ta kishte dhe të tjerë që vinin nga vende europiane si Gjermania, Jugosllavia etj, ku kishin qenë me studime. Të gjithë pjestarët e grupit ishin me arsim të lartë, dhe një pjesë fare e vogël që i kishin ndërprerë studimet për të ardhur këtu.
Si ishte organizmi i tyre dhe si funksiononte?
Ata kishin një drejtues politik dhe një ushtarak. Drejtuesi politik quhej Zijat, (mbiemri nuk më kujtohet) kurse ai ushtarak quhej Jasin Mutllak. Por, nuk jam i sigurtë në se këta ishin emrat e tyre të vërtetë, apo pseudonime. I gjithë grupi kishte një organizim e disiplinë kompakte dhe ata i bindeshin Jasinit, i cili ishte i plotfuqishmi i tyre.
Kush i solli ata në repart dhe në çfar kushtesh u akomoduan ata në repartin tuaj?
Në repartin tonë ata erdhën të shoqëruar nga përfaqësuesit e Ministrisë së Mbrojtje, duke udhëtuar deri aty me automjete ushtarake të mbuluara që kishte asokohe në përdorim Ushtria jonë. Që përpara ardhjes së tyre, ne kishim marrë të gjitha masat në mënyrë që t’i krijonim të gjitha kushtet e duhura brenda ambienteve të repartit. Për këtë kishim bërë gati një klasë për mësim, dy dhoma të mira për fjetjen e tyre, si dhe një guzhinë të veçantë që do gatuante ushqimin vetëm për ta. Ne u munduam dhe kushtet që u krijuam ishin më të mira se të oficerëve dhe ushtarave tanë të atij reparti.
Kush e hartoi planin stërvitor të tyre dhe çfar parashikonte ai?
Sipas udhëzimit të komandantit të detashmentit tonë të Zbulimit, Qani Abazit, (i cili na e komunikoi atë gjë që përpara ardhjes së tyre), programi stërvitor i tyre do të përpilohej deri në nivel grupi zbulimi, ose për t’a kuptuar më saktë, në nivel toge këmbsorie. Pra me pak fjalë, stërvitja e tyre do të ishte e njësuar me një kompani zbulimi të repartit tonë. Në bazë të këtij udhëzimi, programin për stërvitjen e tyre e hartuam unë me disa nga kolegët e mij dhe ai u miratua nga komanda e njësisë sonë. Ai program stërvitor konsistonte në përgatitjen taktike dhe njohjen e përdorimin e armatimit të lehtë të këmbsorisë, duke përfshirë këtu edhe qitjet luftarake me këto lloje armësh. Veç këtyre disiplinave, në programin e stërvitjes së tyre, u përfshinë dhe lëndë të tjera si Kimia, Xhenjo, Topografia, e përgatitja fizike. Për realizimin e përgatitjes taktike, të përgatitjes së zjarrit dhe përgatitjes fizike, u ngarkova unë personalisht, duke marrë kështu edhe drejtimin në tersi të gjithë grupit të palestinezëve.
Mund të na thoni më konkretisht, cila ishte stërvitja që kryen ata në repartin tuaj?
Fillimisht dua të saktësoj se programi stërvitor që ne kishim përgatitur ekskluzivisht për ta, konsistonte jo në veprime të njësive të mëdha luftarake, por të grupeve të vogla të luftës guerilje, të cilat do të vepronin në qytete dhe qëndra të tjera të banuara, e kryesisht në prapavijat e armikut. Në përgatitjen taktike u përpunuan tema që realizonin aftësimin e tyre për të drejtuar ushtarakisht nënreparte të vogla, si skuadra, toga të këmbsorisë, etj, në llojet kryesore të luftimit në sulm dhe në mbrojtje. Por në mënyrë të veçantë u zhvilluan tema që kishin të bënin me veprime karakteristike të nënreparteve të Zbulimit, siç ishin veprimet në prita, veprimet gjatë kërkimit për kapjen e robërve, veprime për të zbuluar dhe goditur objektiva të veçanta të kundërshtarit etj. Në përgatije zjarri, u programuan dhe u dhanë njohuri për përdorimin e të gjitha llojeve të armatimeve të lehta të këmbsorisë, duke filluar nga pistoleta, pushkët, automatiku, mitrolozët e lehtë dhe të rëndë, granat-hedhësi kundërtank, granatat e dorës, e deri tek topi kundër tank 75 mm. Në përgatijen xheniere u dhanë njohuri, veçanërisht në njohjen dhe përdorimin e lëndëve plasëse në kuadrin e veprimeve luftarake kundër objekteve të ndryshme të kundërshtarit, për zbulimin e pengesave xheniere dhe të fushave të minuara, hapjen e shtigjeve e kalimin mes tyre, etj. Në përgatijen kundërkimike jepeshin njohuri për përdorimin e mjeteve personale të mbrojtjes kundërkimike si kundragazi, kompletet e lehta të veshjes së mbrojtjes kundërkimike etj. Në topografi zhvilloheshin tema që kishin të bënin me aftësimin e tyre për t’u orientuar dhe për të lëvizur me anë të mjeteve topografike dhe hartave në çdo terren dhe kushte të motit. Në përgatitjen fizike u zhvilluan tema të përgatitjes së përgjithshme fizike dhe veçanërisht temat e veprimeve të ndeshjes trup me trup me kundërshtarin, për kalimin e pengesave ujore, kalimin e terreneve të thyera malore me mjete alpinistike, etj.
Po ata a ishin të interesuar për ndonjë stërvitje të veçantë, dhe cili ishte prioriteti i tyre?
Ata ishin të interesuar për stërvitjet me veprime në qytete dhe kundër veprimeve të helikopterëve, gjë për të cilat ne u ndodhëm disi ngushtë, pasi nuk kishim përvojë në këto drejtime. Por u gjet një zgjidhje dhe ne ua plotësuam dhe atë kërkesë që ata e kishin si pikën e dytë të prioriteteve të tyre?
Po pika e parë e prioriteteve të tyre, kush ishte?
Pika e parë ishte përvetësimi dhe përdorimi i të gjitha llojeve të armëve personale nga pistoleta e deri tek kundratanku. Dhe si pikë e tretë të prioriteteve të tyre, vinte përdorimi i armëve xheniere, kimike e topografike. Këtu si më e veçantë ishte përgatija e lëndëve plasëse, gjë e cila zinte një vend të madh në program. Nisur nga fakti se në atë kohë repartet tona të Zbulimit bënin një përgatitje speciale për të vepruar në prapavijat e armikut, ne u dhamë atyre këtë përvojë tonën, duke i mësuar si të vinin mina e lëndë të tjera plasëse deri në objektivat armike.
Sa orë stërvitje kryente grupi i palestinezëve në ditë dhe në çfarë gjuhe komunikonit ju me ta?
Ata bënin një orë tranazh në mëngjes dhe gjashtë orë të tjera stërvitje në ditë, sipas programit teorik në klasë dhe praktik në poligonet e fushat e stërvitjes. Të gjitha mësimet dhe komunikimi me ta bëhej në anglisht, me anë të përkthyesëve tanë, si: Besnik Selenica, i cili erdhi aty nga Drejtoria e Zbulimit e Ministrisë së Mbrojtjes, dhe më pas Bashkim Bashllari, edhe ky oficer Zbulimi. Për një kohë shumë të shkurtër në detyrën e përkthyesit shërbeu edhe Ilia Zhulati, i cili ishte një specialist shumë i mirë i gjuhës angleze. Por gradualisht edhe unë vetë fillova të jepja mësime direkt në anglisht, meqënë se e zotëroja atë në një farë mase. Gjë e cila ma lehtësonte mjaft punën, sepse në këtë mënyrë arrija t’i shpjegoja më mirë konceptet taktike të stërvitjes dhe kërkesat e tjera të përgatitjes ushtarake në përgjithësi. Në rastin e shpjegimeve me përkthyes, ishte e vështirë që të arrihej sqarimi i plotë i atyre kërkesave specifike, sidomos në përgatijen taktike./Memorie.al