Një konflikt mes 7 personash ka ndodhur mbrëmjen e së premtes në një lokal nate në zonën e ish Bllokut, në kryeqytet.
Të rinjtë janë zënë me sende të forta, si gota e shufër metalike. Në spital u dërguan 3 persona që morën plagë të lehta gjatë sherrit.
Sakaq, janë publikuar edhe pamjet nga momenti kur ndodhur sherri mes të rinjve, ku ishte i përfshirë edhe një punonjës policie. Debati mes tyre ka qenë i çastit dhe për motive të dobëta.
Kujtojmë se një prej personave të përfshirë në sherr është një 26 vjeçar punonjës policie, në komisariatin nr.1. Sipas burimeve, ai ka pasur armën e shërbimit me vete, por nuk është përdorur prej tij.
Lidhur me ngjarjen reagoi edhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë) në bashkëpunim me Specialistë të Hetimit të Komisariatit të Policisë Nr.2 Tiranë, ku bëhet me dije se “kanë kryer veprimet e para hetimore dhe kanë referuar materialet procedurale në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë në ngarkim të punonjësit të policisë me iniciale D.N. dhe gjashtë shtetasve të tjerë, të dyshuar për veprën penale “Plagosje e lehtë me dashje”’.
Po ashtu AMP bëri me dije se pas marrjes së ndihmës së parë dhe mjekimit në ambientet e Qendrës Spitalore Universitare, të rinjtë janë larguar në banesat e tyre, ndërsa provat në vendngjarje i janë nënshtruar ekspertimit teknik vlerësues.