Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ka pranuar se kanë marrë indicie për kandidatë që kanë probleme me dekriminalizimin. I ftuar në ABC, Celibashi ka folur rreth problematikave me kandidatët për deputet, duke u ndalur në rastin e rastin e Tom Doshit, për të cilin u kërkua nga Ambasada e SHBA që të mos kandidonte.
Kreu i KQZ tha se do t’i drejtohet Prokurorisë për të bërë një verifikim më të thellë, duke shtuar se deri më tani janë rreth 15 kandidatë që do të verifikohen pasi ka indicie se kanë probleme me dekriminalizimin.
“Pardje kemi regjistruar listat. Dhe kemi kandidatë zyrtarisht për deputet. Ne jemi në të drejtën për të filluar proces verifikim. Nuk është vetëm Doshi, deri më tani kemi 10-15 raste por kjo do të vazhdojë. Po verifikohen dokumentacioni. Dhe do ja dërgojmë Prokurorisë. Për sa i përket Doshit si kandidat për deputet. E kam thënë se si për këtë dhe për të tjerë nëse do ketë nevojë verifikimi për gjendjen e tyre me ligjin KQZ do ta bëjë këtë gjë dhe do ta bëjë me një shpejtësi të shtuar. KQZ nuk është se po e transferon çështjen, por jemi tek procesi i verifikimit dhe kërkon angazhim të Prokurorisë. KQZ bën administrimin dhe vlerësimin e dokumenteve,” – tha ai.
Tom Doshi ka qenë në qendër të deklaratave nga Ambasada Amerikane. Vetë ambasadorja amerikane Yuri Kim ka kërkuar me emër moskandidimin e tij në këto zgjedhje, por me anë të një manovre ligjore, duke ndryshuar emrin e kryetarit, Doshi është në fushatë për 25 prillin. Ai do të garojë në dy qarqe, Tiranë dhe Shkodër. /ABC