DAESH është dokumentari me firmën e gazetarit Taulant Koplikaj që u shfaq si premierë për publikun shkodran në Kinema Millenium. Lindja, shkëlqimi dhe rënia e organizatës terroriste ISIS, përfshirja e shqiptarëve në këtë organizatë përmes rekrutimeve okulte dhe fati I grave dhe fëmijëve shqiptarë në kampet siriane, erdhën në një narrativë analitike të Koplikaj dhe emrave të njohur të gazetarisë sonë. Gjithashtu përmes intervistave dhe dëshmive reale të viktimave të mbijetuara të terrorizmit, u sollën dritë-hijet e luftës në tokat e Shamit.
Gazetari Taulant Koplikaj për të disatën herë u kthye në kampet siriane të Roj dhe Al Hol me misionin e vetëm, të sensibilizimit të autoriteteve shqiptare për të riatdhesuar të gjithë gratë dhe fëmijët shqiptarë që në kushte ekstreme mbijetojnë në këto kampe.
Për 60 minuta dokumentari përcolli dëshmi, emocione duke sjellë për herë të parë rrëfimin e një shqiptari nga Kosova që akuzohet si luftëtar I ISIS dhe që mbahet në burgjet e autoriteteve siriane.
Aktiviteti promovues i mbështetur nga Unioni i Pavarur i Gazetarëve kulmoi dhe me dhënien e Çmimit “Hamid Boriçi” për Karrierën gazetarit Taulant Koplikaj për meritat e tij në sensibilizimin e opinionit publik dhe autoriteteve shtetërore për riatdhesimin e Alvin dhe të dhjetëra grave e fëmijëve që mbaheshin peng në kampet siriane./RealitetiPost/