Da Silva: Vllaznia ia del me Brdariç, “Final 4” çështje e mbyllur…

Shpërndaje

Viktor Da Silva është një nga lojtarët e huaj që ka lënë shenjë në kampionatin tonë në vitet e fundit.

Braziliani që ka mbajtur veshur fanellën e Vllaznisë dhe Partizanit, ka fituar gjithçka në elitën e futbollit shqiptar. Në një intervistë së fundmi për “Panorama Sport”, fantazisti ka folur për aventurën e tij në Uzbeksitan, ku u shpall kampion me ekipin e Nasaf Qarshi. E ndërsa ndër të tjera ndan edhe një mendim për kampionatin shqiptar e teksa thekson se Brdariç është trajneri i duhur për Vllazninë dhe që mund t’i udhëheqë kuqeblutë drejt titullit kampion.

Përfunduat një sezon në Uzbekistan. Si shkoi ky edicion?
Sezoni në lidhje me performancën e ekipit ka qenë i shkëlqyer. Kjo pasi u arrit fitimi i titullit kampion. Në aspektin personal mund të them se ishte disi i pafat. Kjo pasi kam kaluar një dëmtim në gju që më ka mbajtur jashtë fushave 4 muaj. Por, falë Zotit u ktheva në 4 ndeshjet e fundit sezonale mes kampionatit dhe Champions League të Azisë.

Çfarë mund të na thuash rreth kësaj eksperience?
Për mua ishte e mrekullueshme sepse Nasaf është një klub i madh në Uzbekistan. Mu duk sikur isha rikthyer pas në vite për shkak të organizimit dhe mënyrës se si trajtoheshin futbollistët. Kam pasur gjitha kushtet e duhura që të mos kem ndonjë shqetësim apo stres, njësoj si të jetë një klub i Serisë A. Kështu që jam ndjerë shkëlqyeshëm në një klub kaq të organizuar.

Kalojmë pak te Superiorja. Sa keni pasur mundësi të shikoni ndeshjet?
Jam munduar t’i ndjek ndeshjet kryesore ku kam parë përballje interesante. Por, në periudhën e fundit nuk kam mundur t’i ndjek sepse edhe kam qenë me pushime, por rezultatet përfundimtare i kam ndjekur.

Në opinionin tuaj, cilat janë ekipet më të forta të këtij edicioni?
Duke parë edhe tabelën, por edhe ndeshjet që kam pasur mundësi të shikoj besoj se janë katërshja e parë e kampionatit. Të katër skuadrat më duken në një nivel dhe kjo e bën kampionatin më të rivalizuar. Nuk mendoj se ndonjë skuadër tjetër do arrijë të rivalizojë ndaj katërshes aktuale që kryeson.

Fundjavën e shkuar ishin përballë dy ish-ekipet tuaja në Shqipëri, Partizani dhe Vllaznia. Ndonjë emocion për këto skuadra?
Unë kam vetëm ndjenja pozitive për të dy këto ekipe. Vllaznia më dha shansin të kthehem në formën time më të mirë dhe të tregoj se çfarë jam i aftë të bëj në fushën e lojës. Po ashtu Partizani, ku me të cilët që në fillim kishim qëllim të luanim futboll të mirë siç më pëlqen mua e po ashtu të fitonim kampionatin. Kështu që gjithmonë do iu jem mirënjohës dhe do kem një kujtim të mirë për këto dy skuadra.

Tomas Brdariç është rikthyer sërish te Vllaznia. Është ky sezoni i duhur për tu shpallur kampion?
Ai është trajneri i duhur sepse e njeh qytetin, njeh atmosferën në skuadër dhe më e rëndësishmja e njeh Superioren. Nuk do jetë e lehtë për të sjellë titullin në Shkodër, por besoj se kanë një mundësi të madhe për ta arritur. I uroj Brdariç dhe qytetit të Shkodrës suksese sepse e meritojnë.

E konsideron Da Silva një rikthim në kampionatin shqiptar? Nëse po, ku do dëshiroje?
Për momentin kam plane të tjera për karrierën time dhe vazhdimësinë. Por ka një shprehje që thotë: “kurrë mos thuaj kurrë”.

ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL

Shpërndaje