Partia Demokratike e ka kritikuar që në fillim të herës menaxhimin që qeveria po i bën krizës së COVID 19. Zyrtarë të opozitës kanë vënë në pah mungesën e transparencës sa i takon numrit të testeve që Shqipëria disponon por dhe medikamenteve të tjera që nevojshme për luftën ndaj coronavirus.
Sipas ish-zv.ministrit të Shëndetësisë, Bardh Spahia vendi ynë përveçse kishte pak kite për të kryer teste, nuk ka vepruar për të siguruar kite të reja. Ai nënvizon se deri tani qeveria nuk e ka bërë të ditur asnjëherë numrin që ka në dispozicion. Madje akuzoi Kryeministrin se ka gënjyer.
“Deklarata e tij se ne jemi të gatshëm të bëjmë 2 mijë teste në ditë, u përgënjeshtrua nga Ministrja e Shëndetësisë dhe nga vetë Komiteti i Ekspertëve të Edi Ramës. E vërteta është se ne na kanë mbetur vetëm 2 mijë teste, se furnizimet i kemi kërkuar me vonesë, pas shpërthimit të virusit në vend dhe se na kanë gënjyer gjatë gjithë kohës për gjoja marrjen e masave”, u shpreh ish-deputeti i PD.
Deklarata e tij vijon duke theksuar se, Shqipëria jo vetëm ka vetëm 2 mijë teste, por nuk ka as kapacitet për të kryer më shumë se 500 teste në ditë.
“Gënjeshtrat e Edi Ramës janë të rrezikshme. Numri i vogël i testimeve fsheh përhapjen reale të virusit. Sa më pak testime, aq më e pakët mundësia për të izoluar virusin dhe për të ndërprerë zinxhirin e përhapjes së tij. Me urimin që sasia e re e furnizimit me kite testuese të vijë sa më shpejt dhe duke falënderuar partnerët tanë për ndihmën e madhe që po na japin, Partia Demokratike i bën thirrje qeverisë të rrisë numrin e testimeve mes qytetarëve”, përfundoi z. Spahia.
Ndërsa në një deklaratë tjetër të bërë nga ish-ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj lëshohen akuza për abuzim me tenderët. Sipas tij, prokurimet për të blerë materiale mjekësore anticovid janë të fshehta dhe me fitues të paracaktuar.
“Kompania “FEDOS” sh.p.k është “fituesja” dhe përfituesja e parave të shqiptarëve, që nuk dihet si janë harxhuar. Tenderët e klasifikuar sekret i kanë mbyllur gojën qeverisë! Asnjë pipëtimë se ku shkuan 1.5 milionë euro të ushqimit të shqiptarëve. Asnjë shpjegim pse u bënë sekrete 4 tenderë të Ministrisë së Shëndetësisë. Ligji detyron qeverinë të bëjë transparencë dhe të mos bëjë “rrush e kumbulla” paratë e shqiptarëve”, tha z. Alibeaj duke i kërkuar KLSH dhe SPAK që të hetojnë.