Koronavirusi ka shënuar sërish rritje të bilancit në Shqipëri.
Gjatë 24 orëve të fundit në vend janë regjistruar 126 raste të reja nga 474 teste të kryera.
Gjithashtu edhe 5 pacientë të tjerë kanë humbur jetën, 3 prej tyre janë regjistruar në Shkodër duke e çuar numrin total të viktimave në 166.
Të infektuar – Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 474 testime për të dyshuar të prekur nga Covid 19, ku 123 persona janë konfirmuar të prekur nga virusi Covid 19.
Në total në të gjithë vendin prej fillimit të epidemisë janë kryer 42,183 testime molekulare dhe serologjike, ndërkohë vijon gjurmimi dhe hetimi epidemiologjik nga strukturat e epidemiologjisë në të gjithë territorin.
Të shëruar – Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 57 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 3018, që nga fillimi i epidemisë.
Raste aktive – 2335 raste aktive rezultojnë në të gjithë vendin dhe po ndiqen nga mjekët e familjes.
Të shtruar – Aktualisht në spitalin Infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 120 pacientë, 18 janë në terapi intensive, 6 prej të cilëve pacientë të intubuar.
Viktima – Fatkeqësisht, nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen në dy spitalet Covid, 3 qytetare nga Shkodra; një 47 vjeçare, një 51 vjeçare, një 72 vjeçare, me disa sëmundje bashkëshoqëruese. Kanë humbur jetën fatkeqësisht edhe 2 qytetarë nga Tirana; një 65 vjeçar pa sëmundje të tjera dhe një 70 vjeçar me sëmundje bashkëshoqëruese.
Apeli i Ministrisë së Shëndetësisë
Ministria e Shëndetësisë fton bizneset dhe njesitë akomoduese të respektojnë protokollet e sigurisë: Distancën fizike, maskën e detyrueshme në shërbim dhe të kryejnë dezinfektimin dhe higjienizimin e vazhdueshëm të ambienteve.
Një kujtesë edhe për pushuesit: Respektoni distancën me të tjerët që nuk janë familjarët tuaj dhe kujdesuni për higjienën vetjake.
28 qendra shëndetësore verore janë në dispozicion të pushuesve, me mjekë dhe infermierë të trajnuar edhe për situatën Covid.
Në rast se dyshoni se jeni të prekur nga Covid19, telefononi Urgjencën Kombëtare në numrin 127 ose në linjën e gjelbër falas 0800 40 40 për t’u lidhur me mjekun tuaj të familjes.