Gjatë 24 orëve të fundit janë 125 raste të reja me COVID-19.
Kështu bën të ditur Ministria e Shëndetësisë sot gjatë përditësimit të të dhënave të situatës. Një paciente nga Vlora ka humbur jetën.
Në Infektiv dhe tek “Shefqet Ndroqi” janë 122 pacientë, 19 në terapi intensive.
Dr. Rovena Daja nga Instituti i Shëndetit Publik tha se gjatë javës që lamë pas është vënë re një rritje e numrit të rasteve të konfirmuara, si edhe e numrit të testimeve në mbi 1/1000 banorë.
Incidenca e sëmundjes COVID-19 në Shqiperi deri në javën që lamë pas është 214.9 raste për 100 000 banorë. Në nivel qarku, incidenca më e lartë është në Tiranë e ndjekur nga Durrësi dhe Shkodra, ndërsa qarku me incidencën më të ulët është Elbasani.
Mosha mesatare e rasteve të konfirmuara është 47 vjeç. Grupmosha 55-64 vjeç zë përqindjen më të lartë të të prekurve me 19.7% të rasteve të konfirmuara e ndjekur nga grupmosha 25-34 vjeç me 18.5% të rasteve të konfirmuara.
Sa i përket 24 orëve të fundit janë kryer 506 testime për të dyshuar të prekur nga Covid 19, ndërsa 125 persona janë konfirmuar të prekur nga virusi Covid 19.
Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive ditore është si vijon: 68 raste në Tiranë, 15 në Korçë, 10 në Durrës, nga 4 raste në Shkodër, Lezhë, Berat, Gjirokastër, nga 3 raste Lushnje, Kurbin, 2 në Devoll, nga 1 rast Elbasan, Kukës, Pukë, Përmet, Sarandë, Divjakë, Kolonjë, Gramsh.
Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 37 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 3379, që nga fillimi i epidemisë.
Mjekët e familjes në të gjithë vendin po monitorojnë çdo ditë personat aktivë me Covid19, që janë në banesë me simptoma të lehta apo pa simptoma. Ju lutem për këdo që kërkon të kontaktojë me mjekun e familjes, telefononi në linjën e gjëlbër falas, 0800 40 40.
Aktualisht ne spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 122 pacientë të konfirmuar pozitivë me Covid19, 19 pacientë janë në terapi intensive, 3 prej të cilëve të intubuar.
Një punë e madhe po bëhet në dy spitalet Covid, ku përveç pacientëve të konfirmuar pozitivë me Covid19, po vijojnë të marrin trajtim edhe pacientë të dyshuar, të cilët po trajtohen sipas protokolleve përkatëse.
Fatkeqësisht, nuk e ka fituar dot betejën me sëmundjen, një 55-vjeçare nga Vlora
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i shpreh ngushëllimet familjarëve dhe të afërmve.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apelon edhe një herë për më shumë kujdes për respektimin e rregullave të higjienës, vendosjes së detyrueshme të maskës në ambientet e mbyllura dhe respektimit të distancimit fizik.
Nëse dyshoni se jeni i prekur ose keni shenja të sëmundjes duhet të qëndroni të izoluar dhe telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare 127.