Për më shumë se 3 javë nuk kemi humbje jete. 79% e të prekurve tashmë janë të shëruar
Dr. Rovena Daja
Instituti i Shëndetit Publik
Ju paraqesim situatën epidemiologjike të Covid19 në Shqipëri, në 24 orët e fundit.
Duke analizuar të dhënat epidemiologjike, numrin e rasteve të reja në 24 orët e fundit, numrin e vdekjeve dhe numrin e personave të hospitalizuar, mund të themi se situata epidemiologjike e Covid19 në Shqipëri paraqitet e qëndrueshme.
Aktualisht në shërbimin infektiv janë 16 pacientë të shtruar dhe vetëm 5 prej tyre në terapi intensive.
Fatmirësisht gjatë 3 javëve të fundit nuk kemi asnjë humbje jetë nga Covid19 dhe ky është një indikator që tregon qëndrueshmërinë e këtij shpërthimi epidemik.
Gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 200 qytetarë si të dyshuar të prekur me Covid19 dhe janë konfirmuar pozitivë 8 raste.
Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 5 raste në Tiranë, 2 në Durrës dhe 1 në Krujë, kontakte të rasteve të mëparshme pozitive. Të shëruar janë 6 qytetarë.
Nga fillimi i epidemisë janë kryer mbi 14 mijë testime molekulare dhe serologjike.
Deri më sot janë konfirmuar pozitivë 989 qytetarë me COVID-19. Prej tyre, rreth 79% janë të shëruar.
Në vendin tonë aktualisht janë 175 persona aktivë me COVID19, kryesisht ne Tiranë, Durrës Krujë, Shkodër.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale fton qytetarët të tregohen të kujdesshëm, duke respektuar masat e vendosura. Nëse keni shenja të Covid19 telefononi në numrin unik të Urgjencës Kombëtare, 127. Për informacion në lidhje me COVID19 dhe këshillim psikologjik, ju lutemi, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40-40.