COVID-19/ Ministria e Shëndetësisë: 74 raste të reja dhe 2 humbje jete në 24 orët e fundit

Shpërndaje

42 të shëruar në 24 orët e fundit. Vijon të ketë shtrime në spitalin infektiv, mes tyre dhe mosha të reja

Dr. Rovena Daja
Instituti i Shëndetit Publik

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju informon për situatën epidemiologjike në vend ku vijon të ketë raste të reja por edhe shtrime të reja në spital dhe pacientë që kanë nevojë për terapi intensive.

I drejtohemi me një lutje qytetarëve që të mos e ulin vigjilencën për asnjë moment, pasi virusi është mes nesh, por të respektojnë masat e vendosura: Distancimin fizik, maskën në ambientet e mbyllura dhe kudo ku nuk ruhet distance dhe higjienën vetjake dhe kolektive. Bizneset duhet të zbatojnë protokollet e miratuara të sigurisë, për të ruajtur shëndetin e qytetarëve.

Në 24 orët e fundit 2 qytetarë nuk e kanë fituar dot betejën me Covid19. 

Një qytetare 45-vjeçare nga Berati dhe një 82 vjeçar nga Kruja, me disa sëmundje bashkëshoqëruese, megjithë përpjekjet e mjekëve, nuk kanë mundur të mbijetojnë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh ngushëllimet familjarëve të të ndjerëve.

Vijon të ketë shtrime në spitalin infektiv ku aktualisht janë 81 pacientë në spital, mes tyre edhe mosha të reja. 7 pacientë janë në terapi intensive në gjendje serioze dhe 2 prej tyre janë të intubuar në gjendje të rëndë.

Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 409 testime për të dyshuar të prekur me COVID19, nga të cilat janë konfirmuar 74 raste pozitive.

Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 37 raste në Tiranë, 10 në Durrës, 5 në Shkodër, nga 3 raste në Korçë, Kavajë, nga 2 raste në Fier, Lushnje, Mirditë, dhe nga 1 rast përkatësisht në Elbasan, Pukë, Berat, Kamëz, Gjirokastës, Pogradec, Sarandë, Vau i Dejës, Dibër, Malësi e Madhe.

Në 24 orët e fundit janë shëruar 42 qytetarë, duke e çuar në 1744 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë.

Në vendin tonë aktualisht janë 1213 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë, Durrës.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale kërkon edhe njëherë ndërgjegjësim nga bizneset dhe qytetarët, që të jenë të kujdesshëm në zbatimin e masave të distancimit fizik, vendosjes së maskës dhe higjienës personale.

Në rast se dyshoni se jeni i prekur nga COVID19 apo keni patur kontakte me persona të prekur, izolohuni.

Në rast se keni shenja të sëmundjes, telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare, 127.
Telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40 për këshillim psikologjik apo çdo informacion për Covid19.

Shpërndaje