COVID-19/ Ministria e Shëndetësisë: 26 raste të reja në Tiranë, asnjë rast në zonat e tjera

Shpërndaje

Shkon në 1076 numri i të prekurve

Dr. Rovena Daja
Instituti i Shëndetit Publik

Ju informojmë rreth situatës së COVID 19 në Shqipëri gjatë 24 orëve të fundit.

Tirana vazhdon të jetë vatra kryesore në vend me një numë të lartë të rasteve ditore të konfirmuara pozitive me Covid19. Të gjithë zonat e tjera në Shqipëri rezultojnë për të dytën ditë rradhazi pa raste të reja.

Gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 225 qytetarë si të dyshuar të prekur me Covid19 dhe janë konfirmuar 26 raste pozitive, të gjitha në Tiranë.

Nga hetimi i thelluar epidemiologjik, janë testuar 73 personel shëndetësor, nga të cilët 12 kanë rezultuar pozitivë, në QSUT, të gjithë pa simptoma. Në total janë 20 të prekur në QSUT, personel shëndetësor dhe pacientë, kontakte të rastit të identifikuar tre ditë më parë.

Nderkohë vijon hetimi i thelluar epidemiologjik edhe për disa raste të reja në Tiranë.
Në spitalin infektiv aktualisht po trajtohen 24 pacientë, nga të cilët 3 janë në terapi intensive.

Në 24 orët e fundit janë të shëruar 11 qytetarë, duke e çuar në 823 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë.
Nga fillimi i epidemisë janë kryer mbi 15 mijë testime molekulare dhe serologjike, ndërsa numri i rasteve të konfirmuara pozitivë në të gjithë vendin është 1076. Prej tyre, mbi 76% janë të shëruar.

Në vendin tonë aktualisht janë 220 persona aktivë me COVID19, kryesisht ne Tiranë, Durrës dhe Krujë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale fton qytetarët të tregohen të kujdesshëm, duke respektuar distancimin fizik dhe higjienën personale. Mos neglizhoni shenjat e sëmundjes dhe për çdo rast të dyshuar, telefononi në numrin unik të Urgjencës Kombëtare, 127. Për informacion në lidhje me COVID19 dhe këshillim psikologjik, ju lutemi, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40-40.

Shpërndaje