Aktualisht kemi transmetim komunitar të përhapjes së virusit në disa bashki të vendit. Ministria e Shëndetësisë i kërkon qytetarëve të mos e ulin vigjilencën: Vendosni maskën, ruani distancën dhe higjienën, për të kufizuar përhapjen e COVID19
Dr. Eugena Tomini
Instituti i Shëndetit Publik
Java që lamë pas ka treguar një trend të rritur të rasteve të konfirmuara pozitive, rritje të shtrimeve në spital, pacientëve që kanë pasur nevojë për trajtim në terapi intensive por edhe pacientë të intubuar. Fatkeqësisht kemi pasur edhe rritje të qytetarëve që kanë humbur jetën. Aktualisht kemi transmetim komunitar të përhapjes së virusit në disa bashki të vendit
Është një situatë serioze epidemiologjike e Covid 19 në të gjitha elementët e vlerësimit të saj. Kjo situatë kërkon reflektim nga ana e qytetarëve për të mos e ulur vigjilencën, duke respektuar masat e vendosura, dhe bizneset duke zbatuar protokollet e sigurisë.
Në 24 orët e fundit, nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen 2 qytetarë: Një 70-vjeçare nga Tirana dhe një pacient 66-vjeçar nga Shkodra, me sëmundje bashkëshoqëruse.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh ngushëllime familjarëve të të ndjerëve.
Situata në spitalin infektiv vijon të paraqitet e rënduar. Në 24 orët e fundit ka shtim të pacienteve të shtruar, ku aktualisht janë 85 pacientë në spital, 10 pacientë janë në terapi intensive dhe 4 prej tyre janë të intubuar, në gjendje të rëndë.
Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 585 testime për të dyshuar të prekur me COVID19, nga të cilat janë konfirmuar 117 raste pozitive.
Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 41 raste në Tiranë, nga 9 raste në Shkodër, Kavajë, 7 në Korçë, nga 6 raste Pukë, Lezhë, nga 5 raste Durrës, Kurbin, nga 4 raste në Krujë, Mirditë, Tropojë, 3 në Fier, nga 2 raste në Kolonjë, Lushnje, Vlorë, Mat, dhe nga 1 rast në Memaliaj, Ura Vajgurore, Pogradec, Kamëz, Berat, Elbasan.
Në 24 orët e fundit janë shëruar 68 qytetarë, duke e çuar në 2014 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë.
Në vendin tonë aktualisht janë 1462 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë, Durrës.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet qytetarëve, të tregojnë kujdes në ambientet e punës, aty ku ofrohen shërbime dhe në çdo ambient publik, për të respektuar masat e higjienës, distancës fizike, shmangni kontaktet dhe vendosni maskat kur nuk është e mundur të ruhet distanca.
Respektimi i distancës, vendosja e maskës, higjiena vetjake dhe kolektive janë mënyrat e vetme për të frenuar përhapjen e COVID19.
Nëse dyshoni se jeni i prekur ose keni shenja të sëmundjes duhet të qëndroni të izoluar dhe telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare 127.
Ministria e Shëndetësisë ka vënë në dispozicion të qytetarëve linjën e gjelbër 0800 40 40 për këshillim psikologjik apo çdo informacion për COVID19.