COVID-19, BE propozon 100 miliardë euro për të shpëtuar vendet e punës

Shpërndaje

Komisioni Evropian propozoi një paketë të re financiare për të kontribuar në pagat për kompanitë që po luftojnë me efektet ekonomike të pandemisë së koronavirusit (COVID-19).

Skema e quajtur SURE do të siguronte gjithsej 100 miliardë euro kredi për vendet anëtare të BE-së për të parandaluar që miliona njerëz të humbin vendet e tyre të punës.

Bazuar në idenë e sistemit gjerman Kurzarbeit (punë e shkurtër), punëtorët do të punonin në orë të reduktuara për shkak të ndryshimit të mjedisit ekonomik, por ende do të mund të merrnin paga të plota, ndërkohë që diferenca rumbursohet nga sistemi kombëtar i sigurimeve shoqërore.

Sipas propozimit, Komisioni Evropian do të merrte hua në tregjet financiare ndërkombëtare dhe do t’ua huazonte vendeve anëtare.

Për dallim nga fondi i investimeve prej 27 miliardë eurosh gjatë pandemisë së koronavirusit, që kanalizon një shumë të paravendosur për secilin shtet anëtar, nisma e re për vendet e punës nuk zbaton kuota për shtetet.

Shtetet mund të aplikojnë, ndërsa Komisioni Evropian do të vendosë për masën e ndihmës financiare.

BE-së i duhet një garanci prej 25 miliardë eurosh nga të gjitha vendet anëtare për kredinë. Kontributet për kolateralin do të bazohen në madhësinë dhe pasurinë e vendit.

Javën e kaluar, vendet anëtare të BE-së u përplasën rreth idesë së ngjashme për lëshimin e eurobonove për të financuar garancinë për vendet në nevojë.

Është e pasigurt nëse vendet si Gjermania ose Holanda, që tradicionalisht kanë kundërshtuar bashkimin e borxhit, do ta miratonin propozimin e fundit të Komisionit.

Shpërndaje