Kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi ka reaguar sërish pas rasteve të shtuara të qytetarëve me COVID 19 në këtë qytet.
Kryebashkiakja Voltana Ademi tha se vatrat po shtohen në disa institucione, siç është spitali, policia dhe ndërmarrja e fasonerisë që ka qenë aktive gjatë këtyre ditëve.
“Rastet e reja lidhen më së shumti me Spitalin e Shkodrës, në fasoneri dhe pastaj janë të tjera që kanë lidhje me familje që tashmë janë verifikuar me COVID-19. Kjo lidhet me prezencën e të infektuarve në shtim në institucione, duke filluar së pari në spital, me policinë dhe në institucione apo subjekte, ku kanë funksionuar më së fundmi siç janë fasoneritë dhe është subjekti i dytë që ka këtë problematikë. Ka një numër të rritur të testimeve.
Shkodra po vërteton se nëse ne do të rrisim testimet, do të kemi të indentifikuar të prekur, sikurse është realiteti. Që dua të them që pavarësisht se kemi shkuar 50, 54, 48 në ditë, në çdo ditë kemi një rritje proporcionale me të njejtin ritëm, të atyre që vërtetohen, pikërisht në disa vatra që janë institucionet më së shumti dhe po e theksoj këtë disa herë:që duhet të këtë një vëmendje për një ndryshim strategjie pune, testimi dhe diagnostikimi në Shkodër. Ne kemi thënë në përgjithësi rritjen e testimeve. Ne nuk i kemi kushtet ndoshta që t’i testojmë në nivel komunitar të gjithë dhe kjo është e kuptueshme, por unë kam kërkuar me anë të një shkrese drejtuar institucioneve për nevojën për testime që është domosdoshmëri. Nëse kjo do të bëhet për atë që janë më të rriskuarit dhe që u duhet të dalin në rrugë për të kryer shërbimin ndaj të tjerëve dhe apo dhe për familjen, mendoj se kështu mund të kemi ezauruar një nevojë të domosdoshme. Kjo do të ndihmoj edhe për një strategji daljeje nga situata. Duhet të ndjekim shembullin e vendeve që kanë ndjekur këtë strategji”, -tha ajo per Euronews Albania.
Sot në Shkodër ka pasur 11 raste të reja me COVID 19 duke e çuar në 99 numrin e të infektuarve.