COVID 19/ 83 raste të reja, humbin jetën 4 pacientë te Infektivi në 24 orë…

Shpërndaje

Situata e COVID19 në vendin tonë vijon të jetë serioze ndaj, edhe një herë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet të gjithë qytetarëve dhe bizneseve të jenë të kujdesshëm në zbatimin e protokolleve të sigurisë.

Respektimi i distancës, vendosja e maskës, higjiena vetjake dhe kolektive janë mënyrat e vetme për të frenuar përhapjen e COVID19.

Vetëm në 24 orët e fundit kanë humbur betejën me sëmundjen 4 qytetarë: dy prej tyre 57-vjeçare nga Shkodra dhe Dibra, një pacient 75 vjeçar nga Durrësi dhe një paciente 81 vjeçare nga Tirana.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh ngushëllimet familjarëve.

Situata në spitalin infektiv vijon të paraqitet e rënduar. Në 24 orët e fundit ka shtim të pacientëve edhe të moshave të reja.

Aktualisht janë të shtruar 72 pacientë në spital, 8 pacientë janë në terapi intensive në gjendje serioze dhe 4 prej tyre janë të intubuar në gjendje të rënde.
Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 420 testime për të dyshuar të prekur me COVID19, nga të cilat janë konfirmuar 83 raste pozitive.

Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 38 raste në Tiranë, 12 në Berat, 6 në Durrës, nga 4 raste në Shkodër, Elbasan, Vlorë, 3 raste në Krujë dhe Kukës, 2 raste në Urën Vajgurore dhe Përmet, nga 1 rast në Lezhë, Mirditë, Gjirokastër, Bulqizë, Himarë.

Në 24 orët e fundit janë shëruar 65 qytetarë, duke e çuar në 1946 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë.

Në vendin tonë aktualisht janë 1415 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë, Durrës.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apelon edhe një herë për më shumë kujdes, edhe gjatë pushimeve dhe sezonit turistik.
Mos e uleni vigjilencën dhe respektoni rregullat e higjienës.

Pastrimi dhe dezinfektimi duhet të zbatohen me rigorozitet në bare, restorante, shezlongje dhe në çdo ambient.

Stafi i shërbimit në kontakt me pushuesit apo vizitorët duhet të mbajmë domosdoshmërisht maskë.

Nëse dyshoni se jeni i prekur ose keni shenja të sëmundjes duhet të qëndroni të izoluar dhe telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare 127.

Ministria e Shëndetësisë ka vënë në dispozicion të qytetarëve linjën e gjelbër 0800 40 40 për këshillim psikologjik apo çdo informacion për COVID19.

Shpërndaje