Çmimi i vezës u rrit 14% në krahasim me javën e kaluar, duke arritur në 24 lekë për kokërr. Arsyeja e shtrenjtimit të vezëve është përgjysmimi i prodhimit ditor për shkak të ngrordhjes të pulave nga influenca aviare, sipas operatorëve prodhues të vezëve.
Përhapja e semundjes pritet të sjellë rritje tjetër të çmimit, deri në rrezikimin e shpërndarjes të produktit në treg. Eksperti i menaxhimit të fermave blegtorale Edi Ferro tha për Monitor se nga të dhënat e pularive rezulton se deri tani kanë ngordhur 500 mijë pula. “Çmimi i vezës pritet të shtrenjtohet deri 40 lekë apo me shumëe. Arsyeja e shtrenjtimit është ngordhja e 500 mijë pulave prodhuese. Në të gjithë vendin jane 1 mln pula që prodhojnë vezëa. Nga sëmundja janë prekur edhe pulat e oborrit. Operatorët prodhues gjithashtu prej 1 viti po përballen me çmimet e larta të bazës ushqimore për pulat. Në këtë situatë është e domosdoshme që shteti të ndërhyjë për subvencionimin e zëvendësimit të pulave, në të kundërt situata do të jetë katastrofike. Për 2-3 muaj në treg do të mungojë veza”, pohon z. Fero.
Prodhimi në ferma përpara virusit ishte 1,350,000 vezë/ditë.
Kompanitë prodhuese pohuan për Monitor se aktualisht prodhohen 720,000 vezë/ditë apo rreth 50% më pak. Një nga operatorët that se në pulari ka mbetur pa u prekur nga influenca aviare vetëm një kapanon me pula që ishte larg stabilimentit kryesor. Për të amortizuar rënien e prodhimit, kompanitë thanë se do të fillojnë import vezësh nga vendet e BE nga fermat e licensuara. Por sipas tyre çmimi do të ngelet i lartë, pasi në BE veza është më shtrenjtë, rreth 0,18 euro për kokërr. Operatorët theksojnë se nuk ka vend për panik, pasi përhapja e influencës aviare nuk prek konsumatorin./D.Azo/Monitor/