Çmimi i energjisë elektrike për qytetarët do të ulet nga 1 janari 2025…

Shpërndaje

Nga 1 janari do t’u ofrojmë qytetarëve shqiptarë një çmim më të mirë të energjisë elektrike, deklaroi zëvendëskryeministrja Belinda Balluku.

“Ne kemi marrë një porosi dhe prej kohësh punojmë me OSHEE-në, KESH-in dhe me OST-në për të vlerësuar një ulje të energjisë elektrike duke nisur nga 1 janari i vitit 2025.

Jemi në punë e sipër, në analizë e sipër, por jemi të sigurt që do t’ia dalim që duke optimizuar proceset teknike edhe ato financiare të kompanive tona, ne të kemi mundësi që nga 1 janari t’i ofrojmë qytetarëve shqiptarë një çmim më të mirë për energjinë elektrike”, u shpreh zëvendëskryeministrja.

Ulja e çmimit të energjisë elektrike është paralajmëruar edhe më herët nga kryeministri Edi Rama, gjatë takimit me pensionistët.

“Jemi duke studiuar edhe një ulje të çmimit të energjisë. Ajo që kam kërkuar nga ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë është që pensionistët të përfitojnë patjetër një ulje, sado të vogël. Po bëjmë një studim si afekton kjo. Por duke qenë se ekonomia është në një rrugë të mbarë dhe shpresoj mos kemi larg qoftë ndonjë situatë që kemi kaluar.”

Çmimi i energjisë për qytetarët aktualisht është 9.5 lekë/kwh. Sa i takon pensionistëve në vend aplikohen skema kompensimi që parashikojnë 640 Lekë për të gjitha  kategoritë e pensioneve, për nivelin e konsumit 200 kë/orë.  Të tilla janë kategoritë:

a) kryefamiljarët, që përfitojnë pension invaliditeti shtetëror, dhe nuk kanë anëtarë të familjes të punësuar në sektorin publik ose të vetëpunësuar në sektorin privat;

b) kryefamiljarët, që përfitojnë pension pleqërie shtetëror, dhe jetojnë të vetëm ose kanë fëmijë në ngarkim, të cilët janë pa të ardhura;

c) Kompensimi për familjet, që do të kompensohen sipas pikës 1 të këtij vendimi, bëhet 240 vetëm për një kontratë të energjisë elektrike dhe jepet vetëm një herë për një familje.

Shpërndaje