Java ka nisur me diell, por nuk do të vonojë ardhja e motit të keq. Sinoptikanët parashikojnë që vendi ynë do të përfshihet nga stuhi dhe ciklon që po vijnë nga Mali i Zi. Stacionet rajonale meteorologjike bëjnë me dije se duke nisur nga e shtuna në mbrëmje deri të dielën, në rajonin e Shkodrës do të bien sasi të mëdha shiu, të cilat përllogariten në më shumë se 30 mm.
Për rrjedhojë, zona të caktuara të vendit, siç janë Shkodra dhe Lezha rrezikojnë sërish përmbytjet duke nisur nga e shtuna në mbrëmjes dhe e diela për shkak të reshjeve shumë të dendura që pritet të bien aty.
Masat ajrore të ftohta do të vijë nga veriu dhe pritet që një stuhi të formohet përreth Podgoricës së Malit të Zi dhe Shkodrës duke shkarkuar sasi të mëdha shiu.
Reshje do të ketë edhe gjatë javës në pjesën qendrore dhe veri-perëndimore të vendit, por do të jenë me një intensitet më të ulët. Të njëjtën gjë parashikon meteorologu maqedonas Sllavço Poposki. Sipas Poposkit, në të gjithë rajonin pritet erë e fortë, ndërsa nga cikloni pritet të preket edhe Maqedonia e Veriut, ku pritet borë deri në 30 centimetra dhe përmbytje të mundshme në disa zona.
“Një stuhi e vërtetë bore vjen gjatë fundjavës si dhe në fillim të javës së ardhshme në rajon. Reshje intensive fillimisht të shiut dhe përmbytje të mundshme lokale e më pas me depërtimin e ajrit më të ftohtë nga veriu do të ketë borë në pjesën më të madhe të Gadishullit Ballkanik. Në disa vende, sidomos në zonat malore, pritet të bie mbi 20-30 cm borë e re. Edhe më shumë se 100 cm borë e re pritet në rajonin alpin,raporton klankosova. Bëhet fjalë për sistem të fuqishëm ciklonik dhe i njejti do ta prekë edhe Maqedoninë gjatë fundjavës dhe në fillim të javës së ardhshme.
Përmbytjet lokale janë të mundshme edhe në Maqedoni, ndërsa erë e fortë pritet në të gjithë rajonin si dhe në Maqedoni. Është pikërisht për shkak të kësaj situate që rekomandojmë kujdes ekstrem,”- shprehet meteorologu Sllavço Poposki.