Çfarë parashikon projekti për Skavicën, që zë fill që prej 1963…

Shpërndaje

Gjatë hapjes së procedurave për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës në qershor të këtij viti, qeveria parashikonte ta realizonte këtë vepër 100% me fondet e saj.

Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku pak muaj më parë, gjatë një interviste për ‘Ilva Now’, tha se i gjithë projekti kushton 500 milionë euro.

Hindrocentrali konsiderohet investim strategjik pasi sjell pavarësi dhe e kthen Shqipërinë në një faktor kyç në sektorit energjetik të rajonit.

Ndërtimi i këtij hidrocentrali e ka zanafillën në vitin 1963, kur nga një studim i kryer u përcaktua ndërtimi i 5 hidrocentraleve mbi Drin.

Aktualisht mbi këtë lumë janë ndërtuar 3 hidrocentrale ndërsa projekti i Skavicës nuk u zbatua për shumë arsye.

Nga studimet e fizibilitetit, qeveri ka parashikuar dy alternativa, ku projekti më ambicioz ka një kosto prej 500 milionë euro.

Projekti parashikon ndërtimin e një dige me lartësi 443 metra. Pjesë e projektit është dhe ndërtimi i një tuneli nëntokësor me gjatësi 3 km.

Sa i takon prodhimit të energjisë elektrike, fuqia e instaluar do të jete 210 megavolt, ndërsa prodhimi vjetor llogaritet 915 GWh.

Nëse do të ndërtohet ky variant, hidrocentrali i Skavicës do të jetë i katërti në vend, ndërsa për prodhimin do të jetë pas Komanit dhe Fierzës.

Ndikim do të ketë që para përfundimit të kësaj vepre pasi do të jetë punëdhënësi më i madh në zonën e Kukësit, pasi do të sjellë punësim masiv gjatë ndërtimit.

Nga ana tjetër pritet të sjellë zhvillim sa i takon turizmit dhe investimeve për ndërtimin e fermave për kultivimin e peshkut.

Periudha e ndërtimit llogaritet të zgjasë 4 deri në 5 vite, por me marrëveshjen e nënshkruar me SHBA, ku ndërtimi do të merret përsipër nga Bechtel, ky afat edhe mund të shkurtohet.

Shpërndaje