Personat të cilët testohen pozitivë për koronavirusin pasi janë infektuar një herë nuk janë riinfektuar.
Kjo sqarohet nga Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) e cila në përgjigje të interesit nga agjencia e lajmeve AFP, tha se pacientët me koronavirus të deklaruar të rikuperuar, të cilët më vonë testojnë pozitivë, ende kanë qelizat e vdekura në mushkëri.
Autoritetet shëndetësore të Koresë së Jugut ngritën shqetësime pasi raportuan më shumë se 300 raste të pacientëve të rikuperuar që më vonë testuan përsëri pozitiv me koronavirus.
Nëse ata që i mbijetojnë COVID-19 mund të riinfektohen me virusin, mund të komplikojnë përpjekjet për të hequr kufizimet e karantinës dhe prodhimin e një vaksine.
Por këto rezultate testi duket të jenë ‘pozitive të rreme’ të shkaktuara nga mbetje të qelizave të vdekura në mushkëri, por me gjasë jo infektuese.
Një ekspert virolog i tha “Daily MailOnline” se sapo virusi të “çaktivizohet” nga sistemi imunitar dhe të krijojë një lidhje komplekse me një antitrup, ai ndalon së infektuari, por prapë se prapë mund të zbulohet me anë të një tamponi.
“Ne jemi të vetëdijshëm se disa pacientë testohen pozitivisht pasi shërohen klinikisht,” i tha AFP-së një zëdhënës i OBSH-së, pa bërë referencë specifike për rastet e Koresë së Jugut.
“Nga ajo që ne dimë aktualisht – dhe kjo bazohet në të dhëna shumë të freskëta – duket se këta pacientë po nxjerrin qelizat e mbetura nga mushkëritë e tyre, si pjesë e fazës së rikuperimit.”
Për disa viruse, siç është fruthi, ata që preken, janë imunë për gjithë jetën, ndërsa për koronaviruset e tjera si SARS, imuniteti zgjati nga disa muaj deri në dy vjet.
“Ne kemi nevojë për mbledhjen sistematike të mostrave nga pacientët e rikuperuar për të kuptuar më mirë”, tha zëdhënësi i OBSH.
“Ne gjithashtu duhet të kuptojmë nëse kjo do të thotë se ata mund ta transferojnë virusin te njerëzit e tjerë – të kesh virus aktiv nuk do të thotë se mund të kalohet te një person tjetër”.
OBSH gjithashtu tha që më shumë kërkime janë të nevojshme për pacientët e rikuperuar që fillimisht testuan negativ dhe më pas testuan pozitivë disa javë më vonë.