Çfarë kam parë në spitalin e burgut…

Kujtimet e motër Gjyzepina Radovanit, infermiere në spitalin e Shkodrës, së cilës i kishte rastisur shpesh të mjekonte plagët e torturave në trupin e të arrestuarve
Shpërndaje

Tortura ishte pjesë e pandarë e procesit të hetuesisë për një pjesë të mirë të të arrestuarve për motive politike. Aq e egër ishte ajo, sa shpesh viktimat përfundonin në spital e ndonjëherë humbnin dhe jetën. Motër Gjyzepina Radovani, madër në Stigmatine para se të mbyllej kuvendi i murgeshave, e përgatitur si infermiere në Napoli, kishte shërbyer për ca kohë në spitalin e Shkodrës dhe kishte mjekuar me duart e saj plagët e disa viktimave duke u bërë dëshmitare e dhunës komuniste. Megjithatë duke qenë e heshtur prej natyre dhe duke njohur parimin komunist që e përsëriste shpesh, sipas të cilit “sytë që kanë pa duhen verbue, veshët që kanë ndigjue duhen shurdhue, duhen pre gjuhët që flasin e shkurtue krenat që mendojnë!”, rrallë ndodhte që ajo të fliste për ato që kishte parë.

Konrad Gjolaj shkruan se kur shkoi në Pllane, e kishte marrë murgeshën e moshuar për shërbim. Në ato të rralla herë që motër Gjyzepina hapte gojën, Konrad Gjolaj kishte mësuar çfarë u kishte ndodhur konkretisht të arrestuarve të viteve të para të regjimit komunist. Në librin “Dosja e Diktaturës”, botim i ISKK, Pjetër Pepa iu referohet shkrimeve të Gjolajt duke sjellë përmes tyre copëzat e kujtimeve të motër Gjyzepinës. Ajo dukej mirë me shëndet, shkruan Gjolaj, por ishte e sëmurë nga zemra. Shpesh i thoshte: “Si kam me kenë mirë me zemër, kur kujtoj shka kam pa në spitalin e burgut…? Mos më pyet, se asht mirë edhe për ty mos me i dijtë, ato tortura që bahen mbi priftën”. Jo vetëm mbi priftërinjtë, por edhe mbi intelektualët e qytetarët e thjeshtë ushtrohej dhunë deri në atë pikë sa nuk njiheshin.

Priftërinjtë Anton Harapi, Ndre Zadeja, Lazër Shantoja dhe Alfons Tracki ishin dërguar në spital, dy-tri ditë pas arrestimit, aq të shfytyruar sa vetëm të nesërmen kishin mundur t’i njihnin. Motër Gjyzepina, siç shkruan Konrad Gjolaj në kujtimet e tij, të cilave iu referohet Pjetër Pepa, kishte mjekuar me duart e saj Çiprian Nikën kur i thyen këmbën në tortura dhe kishte vënë në dijeni të motrën për gjendjen e tij shëndetësore.

“-Unë,-thoshte ajo,-kam pas rasën me mjekue plagët e peshkves së vlueme të hjedhun mbi kambët e imzot Volaj ndër sjetulla prej vezëve të zieme, plagët e hekurave të skuqun ndër krahët e Myzafer Pipës dhe Paulin Palit, kokën e çame me hekur të Kol Prelës, plagët e kthyeme në kancer të dom Nikoll Dedës dhe kam mbyllë me duert e mija sytë e mbetun të hapun të fratel Pantalisë…”

Konrad Gjolaj shkruan se një ditë motër Gjyzepina i kishte treguar se si e kishin çuar pa ndjenja në spital fratel Gjonin. Gjon Pantalia u arrestua në tetor të vitit 1946. Për muaj me radhë, ai pësoi tortura nga më mizoret, si rrahjet, korrentin elektrik, nguljen e spicave të ndezura të drurit në mishin e thonjve. Një ditë prilli, siç shkruan Zef Pllumi në librin e tij “Rrno vetëm për me tregue”, ndërsa ata mbaheshin në Kuvendin Françeskan të Gjuhadolit të kthyer në burg, Gjon Pantalia arrin të hyjë në një nga dhomat që lidheshin me kishën dhe u hodh poshtë, por, prej lartësisë, theu këmbët. Pllumi shkruan se pas kësaj, fratel Gjonin e sollën me batanije në birucë dhe megjithëse me këmbë të thyera, e rrahën pa mëshirë. Kaluan disa muaj deri sa në shtator 1947 e dëgjoi sërish zërin e Gjon Pantalisë dhe përsëri korridoret u mbushën me thirrjet e jezuitit që torturohej.

Pikërisht në këtë kohë, Gjon Pantalian duhet ta kenë çuar pa ndjenja në spital, ku punonte motër Gjyzepina. “E bana gadi shtratin shpejt dhe e vendosa në dhomë me at Çiprianin. I çova një gotë kos, por nuk kapërdini vetëm dy hurma, dhe më tha me një za të mekun: “Motër, nuk mundem me u kapërdi…”, dhe ra si në gjumë. I tregova se karshi ke një shejt, at Çipriani, që ka ardh më keq se ti, dhe asht ba mirë, mos u mërzit, se do të njoftoj dr. Shirokën dhe do t’i shofin ai kambët…! Në agoninë e tij vazhdonte me thanë uratë…

Në darkë shkova dhe i pashë, vazhdonin me fjetë me atë gjumë të randë…të nesërmen kur dola në punë në orën 6.30 të mëngjesit, sa hyna në dhomë, vrejta kah frateli. Krahi i kishte ra shtratit, koka ishte kah at Çipriani, sytë e hapun me shikim nalt… U afrova, i mora dorën dhe e pashë se ishte i ftohtë…Në atë kohë ai ishte në Parrizë…

Në komodinë afër kishte ba me gisht shenjën e një Kryqi dhe nën atë kishte shkrue në pluhur f.Gjon Pantalia S.J…Kishte  vdekë, i bana kryq, i mbylla sytë, thashë shpejt uratën, mbasi kjo ishte e vetmja ndihmë që i duhej.”

Kur kishte zgjuar Çiprian Nikën, ky i tregoi se e kishte dëgjuar që Pantalia ishte në grahmat e fundit dhe kishte zgjatur dorën për t’i prekur atij dorën e shtrirë duke i lënë të kuptonte që i kish dhënë ndihmën e fundit shpirtërore.

Gjyzepina Radovani tregonte se të nesërmen, kishin marrë dhe kishin çuar prapë në burg at Çiprianin, të pashëruar.

Konrad Gjolaj shkruan se murgesha e moshuar i thoshte vazhdimisht se nuk do të mund të shkruheshin ndonjëherë çfarë kishin bërë komunistët mbi klerin katolik dhe atdhetarët shqiptarë. Edhe nëse do mbaheshin mend, do duhej të kthehej deti Adriatik në bojë shkrimi, që të shkruhej çfarë është bërë mbi ta dhe mbi gjithë popullin shqiptar. “…Ata që nuk  kanë provue ose pa me sy krimet e sigurimit jo vetëm nuk kanë me i besue, vazhdonte ajo, por edhe me ia diftue, kanë me kërkue me i harrue shpejt…”

Fjalë profetike!/Kujto.al/

Shpërndaje