Në vijim të përgatitjeve për sezonin e këtij viti, të gjithë operatorët që ushtrojnë veprimtari ujore për qëllime turistike duhet të certifikohen, me qëllim shmangien e incidenteve dhe garantimin e një turizmi të sigurt e me standarde.
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka nxjerrë për konsultim publik projektligjin për ndryshime në aktivitetet e turizmit detar, me qëllim lehtësimin e procedurave për ushtrimin e veprimtarive në këtë fushë.
Certifikimi i subjekteve për ushtrimin e veprimtarive si operator i turizmit detar, kërkonte fillimisht pajisjen me licensën e operatorit turistik. Për arsye se operatori i turizmit detar dhe operatori turistik nuk janë i njëjti person, por ushtrojnë aktivitete të ndryshme dhe licencimi në radhë të parë si operator turistik mbingarkon subjektet me procedura, është vendosur shfuqizimi i pocesit të licensimit pranë QKB-së. Operatorët që do të ushtrojnë veprimtari të turizmit detar do t’i nënshtrohen vetëm procesit të certifikimit, pa pasur nevojë të licensohen më parë si operatorë turistikë.
Aktivitete të turizmit detar që ushtrohen nga operatorët e turizmit detar janë lundrimi për zbavitje, peshkimi, zhytjet dhe aktivitete të tjera ujore. Ndërsa operatorët turistikë punojnë për dizenjimin dhe organizimin e një udhëtimi/pakete të paraplanifikuar e të promovuar.
Gjatë viteve të shkuara, sezoni turistik veror në Shqipëri është shoqëruar vazhdimisht me incidente që kanë sjellë si pasojë vdekjen. Këto incidente kanë nxjerrë në pah problematika që lidhen me mospajisjen e mjeteve të lundrimit me dokumente të rregullta apo mungesës së certifikimit të operatorëve të turizmit detar që ofrojnë shërbimet e skafit, motorëve të ujit apo jetski.
Ledina Elezi/SCAN