
Nga Kamza, kreu i qeverisë shqiptare, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama kërkoi votën e grave dhe vajzave më 11 maj.
Ai i bëri thirrje të pranishmëve që të punojnë për të siguruar sa më shumë vota të sigurta për PS-së dhe theksoi se duhet punuar me gratë demokrate, pasi sipas tij gratë e kanë më të lehtë të kalojnë nga politika në realitet duke mos qenë tifoze, ndryshe nga burrat.
Rama u ndal te integrimi në BE dhe përsëriti se 11 maji do të jetë takimi me historinë.
Rama: Nuk duhet të mjaftoheni me çfarë shihni, por çdo ditë duhet të bëni përpjekje që të shtoni radhët e votave të sigurta për PS, në radhë të parë nga gratë. Duhet të punoni me gratë demokrate, të cilat e kuptojnë shumë mirë sepse e kanë më të shpejtë kalimin nga politika në realitet. Burrat kur janë tifozë janë çyryk, nuk shohin. Shohin ngjyrën e fanellës, ulen pijnë raki, bëjë politike të madhe. Në fund të ditës politika nuk është një ndjeshje fubolli. Kjo është një zgjedhje për si do shkojnë të gjitha punët e mira përpara dhe në rastin konkret për 11 majin është një zgjedhje shumë më e madhe se sa si do shkojnë punët përpara. Kjo është një zgjedhje për historinë, na e ka sjellë fati sot në dorë që ne mund të vendosim për historinë më 11 maj si shqiptarë dhe si shqiptare.
Rama theksoi se dera e Bashkimit Evropain nuk rri hapur përgjithmonë dhe Shqipëria sot e ka shansin që deri në vitin 2027 të mbyllë negociatat. Prandaj bëri thirrje që më 11 maj vota të shkojë për të ardhmen dhe të mos lejohet mbyllja e derës së BE-së.