Burgu i Spaçit do të kthehet në muze/ Zbulohet projekti 4.2 mln Euro i Ministrisë së Ekonomisë dhe Kulturës…

Shpërndaje

Pas shumë diskutimesh publike dhe sygjerimeve nga ish të burgosur politik, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe inovacionit ka hedhur për Konsultim Publik, draft-planin për menaxhimin e ish-burgut të Spaçit.

Në një raport prej 182 faqesh, Ministria e Kulturës, shpjegon rëndësisnë e investimit dhe rijetëzimit të hapësirave, planin e biznesit dhe përllogaritjen paraprake jo përfundimtare të shpenzimeve që do t’i japin jetë godinave që sot ruajnë një peshë të rëndësishme të kujtesës historike.

Hapi i parë është kalimi i pronësisë administrative të kësaj hapësire në varësi të Ministrisë së Kulturës, dhe më pas krijimi i një fondacioni nga një institucion i specializuar për trashëgiminë kulturore, i cili do të jetë drejtpërdrejt i varur nga Ministria e Kulturës.

Fondacioni do të organizohet në tre nivele drejtimi, me një Bord Administrimi, Bord Nderi dhe Bord Shkencor, i cili do të financohet nga Buxheti i Shtetit, fonde nga partnerë ndërkombëtarë, apo fonde publike dhe private, ndërsa vetë implementimi i planit parashikohet të zgjasë 5 vjet.

Në vitin e parë, në këtë draft plan parashikohet që të ndalet përkeqësimi i godinave të Spaçit, dhe nisja e procesit të transformimit. Në vitin e dytë dhe të tretë në propozim parashikohet promovimi i sitit dhe hapja e muzeut të Spaçit, ndërsa në dy vitet e fundit parashikohet pozicionimi i Spaçit në një hapësirë dialogu dhe ndërveprimi.

Investimi financiar në këtë draft plan parashikon të kapi vlerën prej 4.230.800 Eurove, prej të cilave, 2.321.900 Euro do të investohen në fazën e parë dhe pjesa e mbetur për fazat e tjera. Deri më tani, ky projekt-propozim është konsultuar edhe me grupet e interesit, siç janë ish të burgosurit politik, institucionet e ruajtjes se kujtesës, historianë etj.

Burgu i Spaçit ishte një burg i sgurisë së lartë që u përdor për të internuarit politik gjatë regjimit diktatorial, i cili u hap më 1968 dhe funksionoi deri në ’88, ku pati mbi 1000 të burgosur politikë.

Shpërndaje